Aktualitet Politikë

Talat Xhaferi kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nesër në 11:00 mblidhet Kuvendi, !

Për herë të parë, në Maqedoninë e Veriut, qeverinë do të drejtojë një shqiptar. Talat Xhaferi deri para pak ditësh kryetar i Parlamentit, do të marrë detyrën për të drejtuar qeverinë teknike. Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë teknike, e cila do të ketë për detyrë të organizojë edhe zgjedhjet e dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj.

Seanca e nesërme, 28 janar, për votimin e kryeministrit të parë shqiptar dhe qeverisë së tij pritet të nisë rreth orës 11:00. Parlamenti do të debatojë lidhur me programin dhe kabinetin e Talat Xhaferit, ndërsa deri në mesnatën e së dielës pritet të votohet dhe miratohet qeveria teknike.

Ditën e djeshme, 26 janar, Presidenti Stevo Pendarovski, i dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e re të Qeverisë teknike. Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, bazuar në Ligjin për zgjedhje, me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në një fjalim drejtuar kombit, kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim, Ali Ahmeti, e quajti një ditë historike për shqiptarët.

“Kjo ditë është historike se po bëhemi shtet me shoqëri të barabartë. Do të marrim përgjegjësinë për t’i prirë”, tha Ahmeti.
Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike pas marrëveshjes së vitit 2015 që synonte të pengojë manipulet në zgjedhje, duke emëruar përfaqësues të opozitës në kabinetin qeveritar.

Opozita nuk voton për Talat Xhaferin

Opozita maqedonase që kryesohet nga VMRO DPMNE-ja, ka thënë se nuk do të votojë për zgjedhjen e Talat Xhaferit, pasi e akuzon për “shkelje të shumta ligjore” gjatë punës si kryetar i Kuvendit. Lideri i kësaj partie, Hritijan Mickoski përsëriti sot qëndrimin se partia e tij është e prerë për këtë vendim.

“Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundër kushtetuese dhe kundër ligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të jemi dëshmitarë të asaj që është bërë gjatë kësaj periudhe mbi gjashtë vjeçare duke filluar nga zgjedhja e tij në vitin 2017 e deri më sot. Pres vazhdimin e politikave të këqija nën udhëheqjen e Qeverisë nga Xhaferi. Edhe pse kemi thënë se më keq se kjo që ka ndodhur deri tani, nuk ka, por tani e tutje pres edhe më keq”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.