Për një periudhë kohe ata kanë qenë të famshëm e shumë të dashur nga publiku por kanë zgjedhur të tërhiqen nga karriera e tyre apo edhe daljet në ekran. E ftuar në episodin e shtatë të podcast-it “Ku Ke Kumbur” me Jonida Aliçkollin ka qenë Teuta Kurti, një intervistë që ka rikthyer këngëtaren pranë dashamirësve të saj.
Si nisi karriera e saj, ku rikujtojmë këtu pjesëmarrjen e Teutës në edicionin e dytë të emisionit “Ethet e së premtes”?
Ato kanë qenë ‘Ethet’ e dyta kur unë kam vendosur të marr pjesë. Kam qenë 16 vjeç, shumë e re. Tashmë bëhen 20 vite në fakt. Normal në Kosovë ‘Ethet’ e para janë ndjekur tepër, sepse televizionet nuk kanë qenë shumë të pasuruara me emisione të ndryshme. Kështu që të gjithë sytë kanë qenë çdo të premte nga ‘Ethet’ e para. Dëshira ime edhe më e madhe, mesa mbaj mend, ka qenë që të këndoja njëherë përpara jurisë profesioniste siç kanë qenë Alfred Kaçinari, Zefina Kuke, Shpëtim Saraçi, Elton Deda. Një super juri. Edhe kur mora vesh rastësish, edhe pse nuk mund të them rastësisht, por me interesim shumë të madh. Se s’mund të them rastësisht se kam pasur interesim shumë të madh. Se nëse them rastësisht, nuk është rastësisht. Se të thashë që e kam pritur me shumë ëndje që ta kisha rastin që të paraqitesha.
Më tej, ajo shtoi:
Audicioni është mbajtur në qendër të Prishtinës, tek Pallati i Rinisë ku ka qenë një turmë e paimagjinueshme me të thënë të drejtën, sepse kanë qenë nga e gjithë Kosova që të konkurronin në Prishtinë. Edhe unë e kam menduar që as nuk do të kisha mundësinë që të futesha brenda të konkurroja, por që pata fatin. Nëna ka qenë me mua si përcjellëse, ku vazhdon të jetë përkrahja ime e padiskutueshme në jetë çdo herë. Përpara se të hyja ishte ajo dilema më e madhe dhe sa kishte dalë kënga e Alicia Keys – ‘Falling’. Edhe si të gjithë këngëtarët që mendojnë që patjetër duhet të zgjedhësh këngë që të tregojnë që ke vokal e duhet të bërtasësh shumë që ta tregosh që ke shumë vokal. Gjë që është shumë gabim. Mendova edhe këngën e Whitney Houston – ‘I Will Always Love You’ ose ndonjë tjetër të Whitney. Pra, patjetër që duhej një me përmasa të mëdha vokale për një shpërthim.