Bota Sport

U dhunua barbarisht nga partneri-trajner, xhudistja franceze shfaq shenjat e dhunës, ai lirohet!

Dhunohet fizikisht xhudistja Margaux Pinot, kampione e Francës në xhudo dhe bashkëjetuesi e njëherazi trajneri i sportistes u denoncua si autor i dhunës barbare, shenjat e së cilës zgjodhi t’i bëjë publike në një foto.

Alain Schmitt akuzohet se e qëlloi me grushta e tentoi ta mbysë gjatë një zënke të çastit, në Paris. Schmitt u arrestua dhe mohoi çdo akuzë, duke i cilësuar “100% të rreme”, ndërsa deklaroi se ishte Pinot, e cila nisi sherrin. Ndërkaq, u lirua për mungesë provash.

Për gjykatësin, mungojnë provat

Sipas gjykatësit të çështjes, “nuk ka prova të mjaftueshme fajësie që të vazhdojë procedimi penal kundër të akuzuarit Schmitt”. Pak pas seancës, 27-vjeçarja reagoi duke publikuar në rrjetet sociale një foto, me fytyrën e fryrë dhe me shenja të dallueshme dhune.

Postimi i xhudistes franceze në rrjetet sociale:

Sa vlerë ka mbrojtja e tyre përmes shpifjeve, para plagëve e gjakut të shpërndarë në apartamentin tim? Çfarë mungonte? Mos ndoshta duhej të vdisja? Me shumë mundësi ishte sporti i xhudos që më shpëtoi dhe mendimet e mia shkojnë për ato që nuk kanë mundësi të shprehen e mbrohen.

Solidaritet nga bota e sportit

Në procesin gjyqësor, prokuroria foli për dhunë shumë të rëndë nga ana e Schmitt-it e kërkoi një vit burg me kusht për të. Në një mesazh solidariteti për kolegen e Kombëtares, ylli i xhudos franceze për femrat, Clarisse Agbégnénou, e cila këtë vit mbajti flamurin e delegacionit të Francës në Olimpiadën e Tokios, u shpreh e shokuar nga vendimi i gjykatës.