Personazhe që i kemi pëlqyer dhe mund të na kanë shenjuar periudha të ndryshme të jetës nëpërmjet artit apo ndikimit të tyre në publik, do të vijnë me një stil shumë personal interviste në “Ku Ke Humbur” me Jonida Aliçkollin. Për një periudhë kohe ata kanë qenë të famshëm e shumë të dashur nga publiku por kanë zgjedhur të tërhiqen nga karriera e tyre apo edhe daljet në ekran. E ftuar në episodin e kësaj të shtune ka qenë Xhoi Bejko, e cila me anë të një lidhje telefonike nga Kanadaja është rikthyer në këtë intervistë speciale për Top Albania Radio.
Si kanë qenë fillimet e saj në industrinë muzike në Shqipëri?
Kam kënduar që e vogël. Kënga ka qenë pasioni im. Që e vogël në këo festivalet e fëmijëve, Pallati i Pioniereve e të gjitha këto me radhë. Pastaj kam kënduar për një kohë të gjatë në kishë. Kam kënduar dhe kështu ka filluar karriera. Pastaj sigurisht kam hyrë në pjesën profesionale. Kam filluar me muzikën LIVE nëpër evente, nëpër club-e. Pastaj u futa në Top Media dhe kështu. Në fakt ishte një pasion i imi që e vogël dhe shpesh e përmend madje edhe këtu kur më pyesin njerëzit. Se i them që kam kënduar gjithë jetën time, por këtu njerëzit janë mësuar që të këndosh është profesion në të përgjithshmen. Dhe i them që unë kam qenë shumë me fat, sepse në jetën time kam bërë profesionin që e kam pasur edhe hobi, e kam pasur edhe kënaqësi dhe ka qenë edhe puna ime. Dhe mendoj që kam qenë shumë me fat për këtë gjë, për këtë periudhë të jetës që e kam pasur dhe në një farë mënyre vazhdon të jetë kështu.
Kush e ka suportuar atë në këtë rrugëtim që rezultoi mjaft i suksseshëm për të?
Ajo që mund them që më ka shtyrë dhe më ka suportuar është mami që gjatë gjithë kohës e ka parë këtë talent timin, këtë dëshirë timen dhe e ka suportuar. Pastaj gjërat kanë rrjedhur. Kanë qenë gjërat e duhura në kohën e duhur mendoj dhe kam takuar njerëzit e duhur.