Art & Kulturë Celebrities Design S’e Kam me Ty

Të pikturosh me trupin tënd dhe jo me penela/Stela Rustemaj zbulon gjithçka për artin e saj…

E ftuar ditën e sotme në emisionin “S’e Kam me Ty” ishte Stela Rustemaj. Ekonomiste dhe juriste por që ka vendosur që t’i përkushtohet pikturës dhe artit duke qenë se janë pasioni i saj më i madh. Veçantia e artit të saj është se ajo përdor gjuhën e trupit dhe jo penelat për pikturat.

Stela ka treguar me detaje se si ka qenë për të fillimi i këtij rrugëtimi në botën e artit dhe pikturës…

Gjithçka ka nisur me një ëndërr, unë e dashuroj pikturën. Që fëmijë e kam pas dashuruar. Të gjithë fëmijët janë piktorë, tjetër gjë sa ata e ushqejnë ata vetë dhe se sa i shtyjnë prindërit që të ndjekin ëndrrat e tyre. Prindërit e mi gjithmonë kanë dashur atë stabilitetin, t’i përshtatesha kushteve që ata kishin. Im atë ka pasur biznes dhe dëshironte që unë të isha përkrah tij. Një 10-vjeçar unë kam ushtruar ekonomikun, për 3 vite kam ushtruar juridikun. Pjesën e pikturës nuk e kam lënë kurrë. Në mënyrë autodidakte unë eksperimentoja, krijoja vetë teknikat dhe realizoja vetë veprat.

Më tej ajo shtoi se:

Ky nuk ka qenë një penalizim për mua por ka qenë një bekim, unë nuk jam kufizuar dhe nuk kam pasur barriera. Unë kam bërë gjithçka e lirë, sot që flasim pas shumë eksperimenteve të vazhdueshme unë e gjeta veten që pikturoja më mirë me trupin tim. Për mua është shumë i rëndësishëm procesi, më pëlqen pjesa e të qenurit organike me veprën time. Linjat dhe definimet e ngjyrave dalin tepër bukur në momentin që bëhen me dorë. Të ushtrosh të gjitha shqisat është një tjetër emocion dhe ndjesi. 

Stela zbuloi gjithashtu se frymëzimin për veprat e saj ajo e merr nga çdo moment i ditës. Ajo tregoi edhe se pikturat e saj janë aq të veçanta sa nuk mund të krijohen dy identike për më tepër ajo shpjegoi gjithashtu se si arrin që ta përshtasë pikturën e saj me personin ose atë që kërkon.