Aktualitet

Aksident me vdekje në Tiranë, motori përplasi një këmbësor/Viktima i moshuar, vuante nga Alzhaimeri!

Dita e fundit e javës nisi me një tjetër ngjarje të rëndë në rrugët tona. Në Tiranë, një person humbi jetën, i përplasur nga një motor në zonën e Saukut, në afërsi të TEG-ut. Identifikohet viktima e aksidentit në Tiranë, një i moshuar që vuante nga Alzhaimeri. Enver Kasolli 83-vjeç rezultonte i humbur nga dje.

Teksa kalonte në autostradë, në zonën e Saukut u përplas nga një motor Honda që lëvizte me shpejtësi. Në skemën e krijuar nga policia, dyshohet se ecte anës autostradës kur papritur hyri në aksin me lëvizje mjetesh, çka rezultoi fatale.

Pas publikimit të lajmit në media, familjarët konfirmuan identitetin e Enver Kasollit. Policia dhe autoambulanca u lajmëruan nga drejtuesi i motomjetit, por pa rezultat. I moshuari mbante pultin e televizorit në duar.

Më herët gjatë ditës, kur viktima ende nuk ishte identifikuar, policia njoftoi se shoqëroi drejtuesin e motomjetit dhe se vazhdonte hetimet për të zbardhur rrethanat.

Njoftimi i policisë:

Një aksident rrugor me vdekje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet në zonën e Saukut.

Drejtuesi i motomjetit K.L., ka aksidentuar një person, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, në afërsi të TEG-ut.

Viktima është ende i paidentifikuar ndërsa drejtuesi i motomjetit është shoqëruar nga policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ky është një ndër aksidentet më të fundit që përgjak rrugët shqiptare, pas atij të një dite më parë me një viktimë dhe pesë të plagosur në aksin Elbasan-Peqin, pranë fshatit Paulesh ku u përplasën dy makina. Viktimë mbeti një 8-vjeçare, që udhëtonte në një automjet tip “Golf” me drejtuese një shtetase, e cila mbeti e lënduar me vajzën e saj 11-vjeçe, jashtë rreziku për jetën.

Po ashtu u plagosën shoferi dhe dy pasagjerët e makinës tjetër, gjithashtu jashtë rrezikut për jetën. Për shkak të përplasjes së fortë, njëri prej automjeteve përfundoi mbi barrierën e rrugës. Nga hetimet e para rezulton se mes shkaqeve ishte lagështira, si pasojë e motit të keq me reshje shiu të dendura.