Rajoni

Bosnja dënon me burg ish ministrin e Sigurimit

Një gjykatë në Bosnje e Hercegovinë dënoi ish-ministrin e Sigurimit, Sadik Ahmetoviç, me gjashtë muaj burgim, për shkak të abuzimit me detyrën.

Gjykata në Sarajevë konstatoi se Ahmetoviç ka shfrytëzuar pozicionin e tij për t’i siguruar punë fiktive një personi, gjë që ka pasur kosto mbi buxhetin e shtetit.

Adnan Bektiç, i cili ka përfituar paga dhe shpërblime të paligjshme në periudhën 2011-2012, u urdhërua t’i kthejë shtetit rreth 10 mijë dollarë.

Ahmetoviç tha se do ta apelojë vendimin dhe shtoi se rasti kundër tij është i motivuar politikisht.

Ai ka qenë ministër i Sigurimit në Bosnje nga viti 2009 deri më 2012.

Për kohë të gjatë, ka qenë anëtar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), ndërsa në maj të vitit 2017 është përjashtuar nga kjo parti.

Aktualisht, Ahmetoviç është anëtar i partisë së re Blloku i Pavarur.