Bota

Dhunë në protestat kundër ligjit për “Agjentët e huaj” në Gjeorgji!

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se ka hapur një hetim për sulmet ndaj tre protestuesve, njëri prej të cilëve politikan i opozitës vendase, në një miting kundër të ashtuquajturit ligj për “Agjentët e huaj”, mbrëmjen e djeshme në kryeqytetin Tbilisi. Drafti kritikohet ashpër e shihet si kopje e ligjit rus, për të shtypur disidencën.

Ministri i Brendshëm, Vakhtang Gomelauri u shpreh sot se sulmet nga njerëz të paidentifikuar kundër specialistit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gia Japaridze, aktivistit Lasha Gvinianidze, si dhe politikanit të opozitës, Dimitri Chikovani “do të hetohen plotësisht”.

Njerëzit u plagosën, për fat të keq!

Por, nuk dha më shumë hollësi. Në një tjetër njoftim, policia raportoi se gjashtë protestues që morën pjesë në tubim u arrestuan për shkelje të dyshuara të rendit publik. Po ashtu, pati raportime se forcat e rendit, në disa raste, kanë përdorur spërkatje kimike, gaz lotsjellës, topa uji e plumba gome për shpërndarjen e protestuesve.

Siç dihet tashmë, prej javësh, Gjeorgjia është përfshirë nga protestat kundër atij që kritikët e quajnë “ligj rus”. Projektligji i diskutueshëm, i nxjerrë nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane kërkon që mediat, OJQ-të dhe organizatat e tjera jofitimprurëse, të regjistrohen si “transmetuese të interesave të një fuqie të huaj”, nëse më shumë se 20% e financimit të tyre vjen nga jashtë vendit.

Qeveria gjeorgjiane këmbëngul se kjo masë, e ngjashme me atë që ka Rusia është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian e po ashtu synon që të rrisë “transparencën”, si dhe të parandalojë “ndikimin e dëmshëm nga jashtë”, në skenën politike të vendit.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e hodhi poshtë këtë qëndrim ditën e sotme, duke vënë në dukje se si i tillë, ligji kërcënon të drejtat themelore. Ky ligj pritet të hidhet për votim për herë të tretë e të fundit, të hënën e ardhshme, më 13 maj.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian thonë se zbatimi i tij, padyshim që do të ndikonte negativisht në aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Masa u kritikua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi që njihet si mbështetësi më i madh i kësaj ish-republike sovjetike në vitet e fundit.