Aktualitet Rajoni

Fillon ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, Lista Serbe: Ndërkombëtarët të frenojnë Kurtin

Nga veriu i Kosovës raportohet se paraditen e sotme makineri të rënda kanë filluar pastrimin e terrenit në afërsi të shkolles fillore “Jovan Cvijiq” në Zubin Potok. Aty do të ndërtohet një stacion i Policisë së Kosovës, gjë që sipas mediumit lokal Kossev, ka nxitur pakënaqësi të banorëve lokalë.

Veton Elshani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Veri, ka thënë se bëhet fjalë për një vendim të vitit 2018 dhe tani është marrë miratimi për nisjen e punimeve. Elshani ka treguar se deri tani kanë funksionuar në shtëpi private.

Meqë ishim në shtëpi private, vendimi është marrë në vitin 2018, kemi marrë miratimin që të fillojmë të ndërtojmë tani, përndryshe vendimi është marrë më herët”, ka thënë Elshani.

Ai po ashtu ka konfirmuar se aty fillimisht do të vendosen kontejnerët e policisë.

Meqenëse stacioni policor aktualisht ndodhet në një shtëpi private, ne duhet të largohemi dhe për këtë po vendosim kontejnerë derisa të ndërtohet ky stacion”, ka thënë Elshani.

Lista Serbe ka reaguar kundër nisjes së këtij ndërtimi në Zubin Potok. Sipas tyre ky vendim synon të krijojë tensione shtesë dhe përshkallzim të situatës në veri.

Njoftimi për ndërtimin e një stacioni policor pranë shkollës fillore dhe kopshtit në Zubin Potok, së bashku me konfiskimin e paligjshëm të tokës nga institucionet arsimore, për akomodimin e policisë njëkombëshe të Kurtit, të cilën serbët nuk e përjetojnë si pjesë e komunitetit, ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët në veri të Kosovës, e veçanërisht në komunën e Zubin Potakut, dhe është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj popullit serb. I bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që ta frenojnë Kurtin dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës në terren dhe vazhdimin e militarizimit të komunave tona. Kërkojmë gjithashtu reagimin e EULEX-it dhe KFOR-it, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve, por besojmë të vetëdijshëm se kjo lëvizje nuk është një hap në drejtimin e duhur në kuptimin e deeskalimit të situatës,- thuhet në qëndrim.