Bota

Izraeli i “tërbuar” me komentet e Lavrovit se “Hitleri kishte edhe gjak hebre”!

Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid kritikoi ashpër sot homologun e tij rus Sergei Lavrov, i cili deklaroi se “Hitleri kishte gjak hebre”, ndërkohë që Lapid thërriti edhe ambasadorin rus për sqarime. Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, në emër të atij që për Moskën është “operacion ushtarak special”, shteti hebraik është përpjekur të ruajë një ekuilibër delikat mes palëve, pra Kievit dhe Moskës, por komentet e fundit të shefit të diplomacisë ruse në një stacion televiziv italian, shkaktuan jo pak zemërim. Lavrov tha:

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky jep këtë argument: si mund të jetë i pranishëm nazizmi në Ukrainë kur ai vetë është hebre? Mund të gaboj, por Hitleri kishte edhe gjak hebre.

Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, Yair Lapid theksoi:

Konsideratat e ministrit Lavrov janë në të njëjtën kohë skandaloze, të pafalshme dhe një gabim i tmerrshëm historik.

Kryediplomati izraelit nënvizoi se “ambasadori i Moskës në Izrael ishte thërritur për sqarime”. Presidenti i “Yad Vachem”, memorialit të Holokaustit të Izraelit, Dani Dayan, gjithashtu dënoi deklaratat e Lavrovit, duke thënë se ato ishin “të pabaza, të gabuara e të rrezikshme, që meritojnë dënim”.

Në një fjalim në fund të marsit për anëtarët e zgjedhur të Parlamentit izraelit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Izraelit të bëjë një zgjedhje duke mbështetur Ukrainën kundër Rusisë dhe i kërkoi shtetit hebre që t’i sigurojë armë. “Izraeli ka furnizuar veçanërisht me pajisje mbrojtëse Ukrainën, por kohët e fundit nuk e ka furnizuar vendin me armë”, – bënë të ditur zyrtarët izraelitë.

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj. Konfirmimi vjen nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov. Duke folur për mediat italiane, Lavrov u shpreh se “Moska nuk do të nxitojë të përfundojë operacionin special ushtarak deri në këtë datë”.

Ritmi i operacionit në Ukrainë, para së gjithash, varet nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe personelin ushtarak rus.