Bota Botë e Çuditshme Lifestyle

Ju prezantojmë me 11-vjeçaren nga Saraveja e cila ka sjellë versionin e saj të kukullës Barbie, veshur me kostume tradicionale të vendit!

Një 11-vjeçare nga Bosnje-Hercegovina, e quajtur Esma Gljiva, është bërë e njohur kohët e fundit në rrjet pasi ka nisur krijimin e kukullës ikonike Barbie, por me kostumet tradicionale të vendit të saj. Nga shtëpia e saj në Sarajevë, Esma krijon kostume ballkanike të cilësisë së lartë, shami koke dhe aksesorë dekorativë për koleksionin e saj të kukullave Barbie.

Duke shfrytëzuar jehonën e filmit “Barbie” që ka pushtuar kinematë, ajo shpreson të tërheqë vëmendjen tek versioni folklorik i kukullës ikonë. Esma e nisi projektin e saj rreth 1 muaj më parë, pasi pa kukulla jo cilësore në një dyqan suvenirësh, të veshura keq me kostume tradicionale:

Pashë disa kukulla plastike në dyqan, por ato nuk i ngjanin aspak atyre të vërtetave. Ishin të veshura me kostume kombëtare, por jo ashtu siç duhet. U përpoqa të përmirësoj pamjen e tyre dhe besoj se ia dola.

Esma nuk e ka parë ende filmin “Barbie”, por miqtë dhe familjarët e saj thonë se me iniciativën e saj ajo përqafon frymën e pavarësisë dhe sipërmarrjes femërore, temë dominuese e filmit tanimë hit. E rritur në një familje të devotshme valltarësh amatorë folklorikë, Esma ka mësuar shumë mbi traditat multi-fetare boshnjake dhe është edhe vetë anëtare e një grupi folkorik.

Ajo është shumë e saktë kur i vesh kukullat me kostume tradicionale myslimane, ortodokse dhe katolike, dhe kujdeset edhe mbi modelet e flokëve dhe bizhuteritë. Esma thotë se kukullat e saj dëshiron t’i quajë “Barbie Boshnjake” dhe po planifikon kostume folklorike edhe për kukullën Ken. Esma merr çdo ditë porosi për kukullat e saj, të cilat i dërgon në Bullgari, Republikën Çeke, Turkmenistan, Norvegji, Britani e vende të tjera.