Art & Kulturë

Kalaja e lashtë e përdorur nga romakët dhe bizantinët u shkatërrua nga tërmeti në Turqi!

Tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën ka dëmtuar rëndë kështjellën e Gaziantepit, një vend historik dhe atraksion turistik në Turqinë juglindore. Kalaja u shemb gjatë tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi në orët e para të 6 shkurtit. Anadolu, agjencia shtetërore turke e lajmeve, raportoi:

Disa nga bastionet në pjesët lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit në rrethin qendror të Şahinbeut u shkatërruan nga tërmeti, mbeturinat u shpërndanë në rrugë. Kangjellat prej hekuri rreth kalasë ishin të shpërndara në trotuaret përreth. Është shembur edhe muri mbajtës pranë kalasë. Në disa bastione janë vërejtur çarje të mëdha.

Kupola dhe muri lindor i xhamisë historike Shirvani, e cila ndodhet pranë kështjellës dhe thuhet se është ndërtuar në shekullin e 17-të, gjithashtu u shemb pjesërisht. Sipas gërmimeve arkeologjike, kalaja u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekujt e dytë dhe të tretë të e.s. dhe u zgjerua me kalimin e kohës. Ajo mori formën e saj aktuale gjatë mbretërimit të perandorit bizantin Justinian (527-565 e.s.), sipas website-it zyrtar të muzeve dhe vendeve arkeologjike në vend.

Deri më tani, ka pasur më shumë se 18 pasgoditje të regjistruara me përmasa 4 ose më të larta të shkallës Rihter që nga lëkundjet fillestare, një nga më të fortat që ka goditur Turqinë në një shekull. Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në të gjithë zonat e prekura të Turqisë dhe Sirisë. Sipas Zëvendës Presidentit të Turqisë Fuat Oktay, rreth 1700 ndërtesa u dëmtuan në 10 qytete turke.