Sport

Kambiaso thumbon Interin: Rodri, lojtari i vitit pasi i shënoi Interit në finale…

Juventusi po rikthehet të jetë ai dikurshmi teksa është në garën për titullin kampion të Italisë. Ekipi i Allegrit është në ndjekje të Interit me vetëm 2 pikë me pak se zikaltërit. Në Torino tifozët e Juventus kanë një idhull më shumë. Ai është Andrea Kambiaso, mbrojtësi i majtë, i cili kur duhet bën edhe mesfushorin, një lojtar xhol, por që konfirmohet edhe një ultras bardhezi në momentet që duhet. Në një video të fundit me Bremerin në rrjetet sociale, dy juvetinët jo vetëm që kanë qeshur me njëri-tjetrin, por në një moment Kambiaso ka thumbuar keq edhe rivalët e përjetshëm të Interit: “Formacioni im ideal për vitin 2023 është: Shezni, Kim, Van Dajk, Teo Hernandez, Arnold, Bellingam, Kieza, Rodri, Mbape, Vinicius dhe Messi. Por pa dyshim që titullin e lojtarit të vitit e meriton Rodri (i Sitit), i shënoi Interit në finale”, e mbyll Kambiaso mes të qeshurave. Rikujtojmë se Interi vjet zhvilloi një ecuri fantastike duke shkuar në finalen e Champions League përballë yjeve dhe milionave të Manchester City. Në fakt ndryshe nga çfarë pritej, ishte Interi ai që kontrolloi dhe domino lojën por të besuarit e Simone Inzaghit ishin të pafat pasi u ndëshkuan vetëm nga një gol i Rodrit që i mjaftoi Manchester City për të fituar ndeshjen.