Lajmet e fundit Rajoni

Kriza politike kërcënon Malin e Zi!

Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha se nuk do të lejojë që policia malazeze të menaxhohet nga Serbia dhe paralajmëroi se nëse Ministri i Brendshëm, Sergej Sekulloviç shkarkohet, ai do ta përmbysë Qeverinë e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiç.

I kam thënë disa herë kryeministrit e kolegëve të mi në Qeveri dhe e përsëris: nëse kalohet vija e kuqe dhe me ngjarjet e fundit, mendoj se e kanë kaluar atë vijë, një tjetër hap përpara e nuk është e pamundur të mos kemi një ministër të ri të Brendshëm, por nuk është e pamundur që të mos kemi [edhe] një kryeministër të ri. Unë do të rrëzoja Qeverinë!

Abazoviç shtoi se do të ndalojë së mbështeturi Qeverinë, nëse mendon se ata po bëjnë diçka të padrejtë.

Policia nuk do të menaxhohet nga Beogradi dhe kjo nuk do të ndodhë mbi kurrizin tim!

Shkarkimin e Sekulloviçit e të drejtorit të Policisë së Malit të Zi, Zoran Bërgjanin, Krivokapiçit ia kërkon partia më e madhe e koalicionit qeverisës: Fronti Demokratik. Ky subjekt ka lidhje të ngushta me Beogradin zyrtar.

Kërkesat për shkarkim janë bërë pas trazirave që shoqëruan shugurimin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, më 5 shtator. Protestuesit malazezë bllokuan hyrjet në qytet, për të penguar ceremoninë dhe Joanikije u dërgua në Manastirin e Cetinës me helikopter ushtarak.

Bërgjanin e Sekulloviç kundërshtuan përdorimin e forcës policore për të thyer bllokadat e protestat, për shkak të rrezikut për paqen. Por, protestat që kanë nisur një ditë para shugurimit, u shpërndanë forcërisht nga policia. Më shumë se 50 persona u plagosën në përleshje.

Abazoviç, i cili është përgjegjës për koordinimin e shërbimeve të sigurisë në Mal të Zi, drejton Lëvizjen Qytetare URA, partia më e vogël e shumicës qeverisëse në Malin e Zi, pas Frontit Demokratik pro-serb dhe Demokratëve.