Rajoni

Lista Serbe konfirmon synimin për “të rrëzuar” qeverinë Kurti!

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin Albin Kurti. Sipas këtij subjekti, “Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb”.

Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, gjë që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona.

Reagimet e fundit të Listës Serbe vijnë pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla se “në ekzekutiv nuk ka më vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi ajo bashkëpunon me grupe kriminale”.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në qeveri, duke drejtuar Ministrinë për Komunitetet dhe Kthimin.

Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtu më 22 mars të vitit 2021. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, po ashtu tha se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiç, nuk gjendet në veri të Kosovës.  Në fillim të korrikut, ai regjistroi një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Por, Lista Serbe shprehet se “Radoiçiç ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit”, pra në veri të Kosovës.
Radoiçiç kërkohet nga autoritetet në Kosovë mbi bazën e dyshimeve se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”. Në deklaratën e Listës Serbe, thuhet:

Sveçla nuk guxon të pranojë se është i vetëdijshëm se sa autoritet ka Radoiçiç në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur iu bashkua atyre në protesta dhe gjatë gjithë kohës ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe.

Autoritetet e rendit disa herë gjatë këtij viti janë sulmuar ose janë penguar që të kryejnë punën e tyre në veri të vendit. Radoiçiç, së bashku me dhjetëra serbë të tjerë, përfshirë edhe biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviç, gjenden në listën e zezë amerikane të dyshuar se i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.