Botë e Çuditshme

Posta në Britaninë e Madhe akuzonte prej vitesh punëtorët për vjedhje parash, ‘fajin’ e kishte sistemi kompjuterik!

Policia në Britaninë e Madhe ka nisur hetimet për mashtrim, pasi një postë akuzoi më shumë se 700 punonjës të saj për vjedhje. Në fund u konstatua se kishte një gabim në sistemin kompjuterik. Policia metropolitane ka marrë në pyetje dy persona për skandalin që çoi në dënimin e gabuar të 700 punonjësve të postës. “Policët po hetojnë shkeljet e mundshme të mashtrimit që rrjedhin nga këto ndjekje penale si paratë e marra nga administruesit e besuar si rezultat i ndjekjeve penale ose proceseve civile”,-u tha në një deklaratë zyrtare.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse hetimi ka të bëjë me anëtarë të stafit apo me postën si korporatë. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2015, më shumë se 700 menaxherë të degëve të postës u dënuan gabimisht pasi një softuer llogaritës Horizon bëri të dukej sikur paratë mungonin në degët e tyre. Shumë prej tyre kanë falimentuar pasi janë detyruar të paguajnë shuma të mëdha parash në kompani, ndërsa disa janë dërguar në burg. The Guardian raporton se disa punonjës janë vetëvrarë.

Fajtori i vërtetë ishte një sistem kontabiliteti kompjuterik me defekt i quajtur Horizon, i furnizuar nga firma teknologjike japoneze Fujitsu, i cili u instalua në zyrat postare lokale në vitin 1999. Posta ka pretenduar prej vitesh se të dhënat nga Horizon janë të besueshme dhe ka akuzuar drejtuesit e degëve për mashtrim, kur sistemi tregonte se mungonin paratë.

Pas një fushate shumëvjeçare të udhëhequr nga punonjësit dhe avokatët e tyre, në vitin 2021 Gjykata e Apelit rrëzoi 39 dënime për atë çështje. Në shpjegimin e vendimit, gjyqtari tha në atë kohë se zyra e postës e dinte se kishte probleme serioze të besueshmërisë me Horizon dhe kishte bërë gabime të mëdha në hetimin e saj. Hetimi publik për këtë rast ka vazhduar që nga viti 2022.