Aktualitet

Rama: “Përkohësisht, familjet e pasura mund të paguajnë më shumë për çmimin e energjisë!”

Në foltoren e Kuvendit që shqyrton sot ndryshimet në Kuvend, kryeministri Rama informoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të krijuar fashat, por për të parë nëse mund të bëjnë një ndarje të përkohshme, ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë në faturën e energjisë.

Nuk do e rrisim çmimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të rikthyer fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë totale dhe na lanë  në buzë të humnerës në vitin 2013. Por, për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Asnjë familje të mos ketë kosto rritjeje për çmimin e energjisë.

Rama riktheksoi se “në Paketën e Rezistencës Sociale i qëndrojnë zotimit për mosrritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla”. Kryeministri kujtoi se kjo vjen në kohën kur energjia elektrike në tregjet ndërkombëtare është dyfishuar e mund të shkojë në katërfishim.

Në këtë Paketë, ne i qëndrojmë edhe sot zotimit se nuk do të rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje shqiptare. Asnjë familje nuk do të ketë rrije në faturën e energjisë, ku shteti do të vazhdojë të paguajë diferencën e cila mund të shkoj në 3-4 fish.

Tani jemi në kushtet ku nuk flitet më për çmime por për mungesën në treg. Jo më larg se mbrëmë, ministri i Ekonomisë i Gjermanisë lajmëroi se qeveria do të kufizojë furnizimin me gaz. Gjermania po përgatit planin për të filluar ndërprerjet e furnizimit me gaz në familjet gjermane. Pra, jemi në kushtet kur kriza ka prekur shtetin më të fuqishëm të Evropës.

Kriza e furnizimit me energji elektrike është në një kulm që bota e konsideron të ngjashëm me krizën e vitit 1974. Eshtë realisht e frikshme të mendosh nëse jemi në ato kushte, ku ka pasur mungesë furnizimi me naftë, me gaz, me energji elektrike dhe ushqime.

Në një tjetër zhvillim, vitin e kaluar, ekonomia shqiptare shënoi një rritje të fortë, pas tkurrjes për shkak të kufizimeve nga pandemia koronavirus në 2020-ën. INSTAT-i publikoi sot raportin mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

PBB-ja për vitin 2021, mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 8.54 %, krahasuar me vitin 2020. Në vitin 2020, ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë (në volum) prej -3,48 %, krahasuar me 2019-ën, pas një rritje prej +2,09% më 2019-ën, në krahasim me 2018-ën.