Politikë

Të lirohet Beleri menjëherë”, Dule: Procesi një parodi, vendimi ishte i paralajmëruar

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka folur për gazetarët nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ku kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë pritet që të njihet me masën e sigurisë.

Zoti Dule e cilësoi procesin gjyqësor ndaj Fredi Belerit një parodi ndërsa theksoi se vendimi ka qenë i paralajmëruar. Qëllimi, sipas tij, është që të rrëmbehet përfaqësimi politik i komunitetit të bashkisë së Himarës.

Po ashtu, Dule theksoi se nuk ka asnjë arsye politike apo juridike që Beleri dhe Pandeli Kokoveshi të vijojnë të qëndrojnë të ndaluar.

“E kërkon logjika, nga çdo optikë qoftë ajo që të lirohen menjëherë. Mund t’ju them nga ana ime se ishte një vendim i paralajmëruar dhe pasi u ekzekutua vendimi i paralajmëruar, atëherë u përpoqën që të krijojnë edhe kushtet edhe faktet. Kemi një proces parodi.”

Ndërkohë, në gjykatën e Vlorës për të ndjekur seancën ndaj Belerit është paraqitur edhe ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamisti.