Aktualitet

A është i drejtë kompensimi i shtëpive të palegalizuara në lagjen “5 Maji”? Ja përgjigjet e sondazhit…

Tensione në zonën e “5 Majit” në Tiranë prej disa ditësh, ku në datë 19 janar disa banorë u përplasën me policinë dhe disa prej tyre u shoqëruan. Ata kundërshtuan prishjen e banesave, të planifikuar në kuadër të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019. Madje, iu dolën përpara fadromave të IKMT-së, për të mos i lejuar të vazhdojnë me shembjen. Të lajmëruar më parë, për ta ai ishte afati i fundit që të lironin shtëpitë, por që e refuzuan.

Më shumë se një javë nga shembja e banesave të tyre, banorët e zonës së “5 Majit” në Tiranë, protestuan para dy ditësh te Kuvendi e më pas u zhvendosën para Bashkisë. Ndërsa kërkuan takim me deputetë, bënë të qartë se nuk do të firmosin asnjë marrëveshje pa një dëgjesë publike ku t’iu tregohet me saktësi se kur do t’iu jepen në dorë çelësat e shtëpive të reja. Në protestë iu bashkuan banorë të Laprakës, që preken nga projekti i Unazës së Re.

Banorët e njësive administrative 4 dhe 8 që preken nga ky plan, do të strehohen në një bllok pallatesh që po ndërtohet te “5 Maji”, me ata, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit. Pjesa më e madhe ra dakord e nisi nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga Qeveria në shtator 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.

Sipas VKM-së, “banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re”. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë.

Ne në Top Albania Radio, ngritëm një sondazh ku kemi pyetur publikun nëse mendonin se është i drejtë kompensimi i shtëpive të palegalizuara në lagjen “5 Maji” apo jo. Në faqen tonë të Web-it përgjigjjet e sondazhit kanë qenë këto: 67% janë përgjigjur se i duket i drejtë kompensimi dhe 33% iu duket jo i drejtë.

Nga ana tjetër, po e njëjta pyetje është ngritur edhe në YouTube Community. Përgjigjet kanë qenë thuajse njësoj si me ato në Web, ku 51% mendojnë se është i drejtë, 32% nuk e shohin si të tillë dhe 17% janë shprehur se nuk e dinë.