Ndryshe Politikë

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, strategjia më e re e Vetëvendosjes në Shqipëri!

Në emisionin “Dilema Sociale” ditën e shtunë ishte i ftuar kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje” të drejtuar nga Albin Kurti dhe që ka degë në Shqipëri, Boiken Abazi. Kujtojmë, se nga verifikimet që pasojnë dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha dritën jeshile për Boiken Abazin.

Por çfarë strategjie ka kjo parti që e bën të veçantë nga partitë e tjera në Shqipëri, Boikeni shprehet se:

Ne jemi të pavarur formalisht, 3 kandidaturat janë në Lezhë, Gjirokastër dhe Tiranë. Jemi numri 13 në fletëvotim. Çdo i pavarur ka numrin 13. Partitë e regjimit të vjetër në Kosovë kanë ngjashmëri me partitë egzistuese në Shqipëri. Ne në Vetëvendosje nuk kemi pranuar para nga burime të dyshimta, nga biznesmen që kanë kapur shtetin. Kemi një zyrë modeste në Tiranë. Ndiehemi rehat dhe nuk i detyrohemi askujt asgjë.

Unë mendoj që problemi kryesor ka qenë pohimi i një alternative të re në Shqipëri. Ne kemi anëtarësuar anëtarin më të ri 17-vjeç dhe më të vjetrin 72-vjeç. Ky i fundit ishtë më i ri në ide dhe në shpirt se shumë të tjerë. Mendoj që qytetarët e mirëpresin ardhjen e Vetëvendosjes këtu, gjimnazistët në Shqipëri dëgjojnë vetëm muzikë nga Kosova. Fitoren e fundit historike të Lëvizjes në Kosovë e lakmojnë edhe qytetarët këtu. Kemi marrë shkrime edhe nga fshatrat më të thella të Shqipërisë. Plani ynë është që pas fushatës ne të ngrejmë struktura në çdo qytet e çdo fshat për të garuar me lista të plota. Modelin tonë ekonomik ne e ndërthurim me një projekt që nuk është i yni por që buron prej Rilindjes Kombëtare.

Ne duam ta përshtasim me nevojat e shqiptarëve në shek.21 që është e drejta e popullit shqiptar në Shqipëri e Kosovë për të votuar një ditë me demokraci, me referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo nuk do të ndodhi nesër. Ka hapa deri aty. Qasja jonë, rrugëtimi jonë kërkon të bëjë bashkë integrimin në BE krahas integrimit kombëtar. PS, PD, LSI nuk e kanë bashkimin kombëtar as në statut, as në program, nuk kanë as modelin ekonomiko-politik që ne propozojmë. Shqiptarët le të votojnë përmes votës së lirë pastaj se bëhemi një shtet apo do jemi konfederatë, këto janë çështje dytësore.