Health & Beauty Live From Tirana

“Më kanë paragjykuar për faktin që jam vajzë”/ Ekskluzivisht për TAR, Rona Nushi rrëfen gjithçka për kompaninë e saj “Bees and Trees”!

Sot, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” për të na folur në lidhje me sipërmarrjen e saj ishte Rona Nushi, e cila ka krijuar një brand me produkte për kujdesin ndaj lëkurës “Bees and Trees Bio Cosmetics”. Si nisi e gjitha kjo? Rona shprehet se:

Përkthimi i “Bees and Trees” do të thotë bletë dhe pemë. Në fillim mendonin se kjo kishte të bënte me bletët dhe kishte në përbërje mjaltin por jo. Ideja ka qenë për të përgjithësuar natyrën si dhe tërsia dhe energjia që vjen nga natyra. Produktet jane vegane, natyrale dhe organike.

Historia nisi shumë spontanisht, nuk është ngritur me idenë për t’u bërë biznes, unë kam studiuar farmacinë, jo me shumë dëshirë, e kam nisur universitetin me idenë që të bëj diçka ndryshe dhe rrugës do e gjeja veten. Jam marrë gjithmonë me alpinizëm dhe gjatë fundjavave që iknim për ngjitje kisha të nevojshme një produkt për mbrojtjen nga dielli dhe në atë periudhë nuk po gjeja një produkt me produkte natyrale në përbërje dhe thashë pse mos ta bëj vetë. Dhe e prodhova vetë në laborator, më pas ma kërkuan shoqet e mia ta përgatisja për ato, më pas filluan dhe shoqet e tyre dhe u zgjerua si procedurë. Mendova pse mos ta krijoj një linjë të tërë kozmetike. Kam bërë punimin e temës së diplomës në Milano, aty isha direkt në kontakt me lëndën e parë, me produktet dhe kam marrë informacione për të regjistruar produktet në BE. Në vitin 2014 u krijua produkti i parë dhe në vitin 2018 kam kaluar prodhimin në Itali.

Sa kollaj apo e vështirë ka qenë që të bëhen produktet e njohura për një numër të madh konsumatorësh? Rona shprehet se:

Në fillim ka qenë e vështirë sepse tregu ka qenë i ngushtruar, sidomos për ato produkte që përgatiteshin këtu ishte thuajse inekzistent. Unë kam punuar shumë me rrjetet sociale, Instagram-in më shumë si këshila informuese. Pra, më shumë e kam parë si një blog dhe më pas nisi edhe shitja e këtyre produkteve.

Cila ka qenë vështirësia më e madhe për sipërmarrësen në fillimet e saj?

Një vështirësi që kam hasur ka qenë paragjykimi për produktet, sa dëgjonin që prodhohen në Shqipëri stepeshin dhe largoheshin. Në momentin që kaluam prodhimin në Itali, u rregullua kjo pjesë. Vetëbesimi tek një sipërmarrës është dicka që luhatet shumë shpejt, e rëndësishme është të mbahet një ekuilibër, sidomos si sipërmarrëse grua ka pasur vështirësi që nuk mund të ishin. Që nga shpërfillja, paragjykimi në takimet e biznesit deri tek një problem tjetër që ka qenë nga bankat. Në momentin që je grua nuk të marrin në konsideratë për shëbimet që do të paguash. Kontakti i parë, në një bisedë ka paragjykime dhe nuk e dinë se si ke ardhur ti deri aty. Një dallim shumë i madh që kam parë është se, në disa panaire që kam qenë në Milano, kur prezantohesh si sipërmarrese të vleresojnë akoma më shumë që je vajzë sepse e kuptojnë menjëhere vështirësinë, ndërkohë këtu ndodh e kundërta. Nuk po e përgjithësoj por më ka ndodhur.

A ka njerëz të njohur për publikun që i drejtohen “Bees and Trees”?

Ka disa që kanë kërkuar të më takojnë për t’u bindur më shumë për produktet, kam krijuar shoqëri nga kjo pjesë. Një nga personazhet që e ka mbështetur që në fillim ka qenë Rona Nishliu.

Çfarë planesh ka Rona për ta shtrirë ndërkombëtarisht kompaninë e saj?

Me këtë po merremi tani, në pamje të parë duket e thjeshtë por unë nuk i mendoj problematikat dhe i futem punës me kokë dhe mendoj gjërat e bukura. Hapi i parë që është bërë, certikimi dhe regjistrimi në BE. Hapi dytë është duke u ndërmarrë, që është hapja e nje dege brenda BE.