Aktualitet

Zgjedhjet e 25 prillit, sondazh i IPSOS-TCH për Shkodrën e Vlorën

Publikohen gjetjet e sondazhit të katërt të realizuar nga IPSOS dhe Top Channel për dy nga qarqet më të rëndësishme në vend, Shkodrën dhe Vlorën. Nga data 8 deri më 12 prill, u intervistuan 1004 votues në qarkun e Vlorës dhe 1003 në të Shkodrës, ndërsa 90% e intervistave u zhvilluan përmes telefonit e 10% përmes panelit online të IPSOS-it.

Të anketuarit i janë përgjigjur disa pyetjeve, mes të cilave përfshihet se në cilin drejtim po shkon Shqipëria, kë do të votonin nëse zgjedhjet do ishin këtë të diel si dhe sa mandate do të merrnin PD dhe PS në qarqet e Shkodrës e të Vlorës.

Sondazhi në Shkodër

Në Qarkun e Shkodrës, rezulton se 49% mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e gabuar, 42% se po shkon në drejtimin e duhur. Vetëm 5% mendojnë se nuk është as në drejtimin e duhur as në të gabuar, ndërsa 4% refuzojnë të përgjigjen.

Për problemet më të mëdha që ka Shqipëria, mbi 1 mijë votues në qarkun e Shkodrës veçojnë të parën papunësinë me 44%, më pas krizën ekonomike me 37% dhe 17% pandeminë nga COVID-19. Shëndetësia shqetëson 14% të të anketuarve, 13% janë të shqetësuar nga pensionet/rrogat e ulëta, ndërsa 12% e cilësojnë si problem me të rëndësishëm emigrimin dhe ikjen e të rinjve.

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë të dielë:

Koalicioni PD-AN do të fitonte zgjedhjet me 56.9% ose 7 mandate në Qarkun e Shkodrës, ndërsa 29.4% e qytetarëve do të votonin për PS-në apo 3 mandate. Një rritje e përkrahësve vihet re edhe në Partinë Social Demokrate, e cila drejtohet nga Tom Doshi. Nga të dhënat e sondazhit, rezulton se 7.5% e qytetarëve në Shkodër do të votonin për PSD-në duke i dhënë një mandat dhe 2.1% për LSI-në.

Sondazhi në Vlorë

Në Qarkun e Vlorës, rezulton se 56% mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, 35% mendojnë se po shkon në drejtimin e gabuar. Vetëm 6% mendojnë se nuk është as në drejtimin e duhur as në të gabuar, ndërsa 3% refuzojnë të përgjigjen.

Sa i përket problemeve kryesore:

Papunësia renditet e para nga të pyeturit në Vlorë me 37%, 31% përmendin krizën ekonomike dhe 20% pandeminë nga COVID-19. Ndërsa pensionet e ulëta/rrogat e ulëta shqetësojnë 15% të anketuarve, 13% janë të shqetësuar nga infrastruktura, ndërsa 10% e cilësojnë si problem më të rëndësishëm shëndetësinë dhe korrupsionin. Problemet e tjera që shqetësojnë më shumë qytetarët e Vlorës janë: drejtësia/mungesa e rregullit të ligjit 9%, shërbimet komunale (uji,dritat) 9%, standardet e ulta të jetesës/varfëria 8%, emigrimi/ikja e të rinjve 7%, arsimi 6%.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, PS-ja do të fitonte zgjedhjet me 60.1% në Qarkun e Vlorës, 8 mandate ndërsa 32.1% e qytetarëve do të votonin për PD-AN duke i dhënë 4 mandate LSI-ja renditet e treta me 4% dhe Lëvizja për Ndryshim me 1.6%.

Më herët Top Channel dhe IPSOS kanë publikuar sondazhet për qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Në Tiranë PS merr 48.1% që përkthehet në 19 mandate dhe PD, 42.6% në 16 mandate, ndërsa LSI me 3.4% vetëm 1 mandat. Në qarkun e Durrësit, PD merr 47.8% apo 7 mandate dhe PS 44.8% po 7 mandate, ndërsa LSI merr 5.5%, por asnjë mandat. Ndërkohë në Elbasan PS merr 49% ose 8 mandate dhe PD 41% ose 6 mandate, ndërsa LSI asnjë mandat.