Politikë

Gjykata do dalë me verdikt “të prerë”, Ivi Kaso: Nuk është pranuar asnjë ankimim ndaj vendimit që njeh 11 Dhjetorin

Përfaqësuesi ligjor i grupit të Rithemelimit, Ivi Kaso, ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës së Tiranës, duke sqaruar se nuk është pranuar asnjë ankim ndaj vendimit të njeh Kuvendin dhe Statutin e 11 Dhjetorit.

Përmes një reagimi për mediat, Kaso thekson se njoftimi i sotëm i Gjykatës sqaron se endë është në pritje të vendimit dhe askush nuk ka vendosur ende nëse vendimi i 25 Marsit ka ankim apo jo.

“Për të gjithë ata që janë shqetësuar nga njoftimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës, sqaroj se nuk është pranuar asnjë ankim ndaj vendimit që njeh Kuvendin dhe Statutin e 11 Dhjetorit! Njoftimi i sotëm i gjykatës vetëm SQARON se ky ende është në pritje të vendimit, nëse ky është ankim sipas ligjit apo sipas qejfit të disave! Nuk është pranuar për shqyrtim ende asnjë ankim. Praktikisht askush s’ka vendosur akoma nëse vendimi i 25 Marsit ka ankim apo jo. Përpjekja nëpërmjet marifeteve proceduriale apo zvarritjeve, nga ata që refuzuan t’i shihnin firmat e delegateve të Kuvendit te Demokratëve si në seli ashtu edhe në gjykatë, nuk mund të pengojë certifikimin ligjor të vullnetit të tyre”, thuhet në reagimin e Kasos.

Prej ditësh vijojnë përplasjet brenda PD për shkak të vendimeve të dy gjyqtarëve, njëri prej të cilëve njeh Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish kryetari Lulzim Basha ndërsa tjetri njeh Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha.

Për këtë arsye, gjykata e Tiranës ka sqaruar vendimet e marra nga Blerina Muça dhe Agron Zhukri për Partinë Demokratike duke thënë se do të pritet vendimi i formës së prerë.