Aktualitet

Karrige kundër mësueses në Lezhë, shoqërohet 16-vjeçari!

Ngjarje e rëndë në Lezhë, ku një nxënës goditi me karrige një mësuese në gjimnazin “Hydajet Lezha” të qytetit verior. Gjithçka ndodhi brenda klasës, ndërsa arsimtarja mbeti e dëmtuar e po merr mjekim në spital. Policia njofton shoqërimin e një 16-vjeçari e vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Sot mësuesit bojkotuan mësimin në shenjë proteste.

Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M.P., e cila po merr asistencë mjekësore, në spital.

16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në një tjetër zhvillim, sot Gjykata e Vlorës vendosi masën “Arrest me burg” për dy të arrestuarit e akuzuar për mbajtjen me forcë dhe abuzimin seksual të një 26-vjeçareje. Seanca ndaj Albi Cenos dhe Oltjon Tahirit u drejtua nga gjyqtari Hektor Sinanaj.

Masa e sigurisë do të jepet edhe për Gentjano Mehmetin e personin e katërt të përfshirë, një shtetas me inicialet V.K. Ata ndodhen në arrati. Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, për shkak se ky rast ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Për të katër shtetasit, prokuroria kërkoi “Arrest me burg”. Në gjykatë ishin edhe përfaqësues të Qendrës “Vatra”, që mbanin bluza me mbishkrime: “Ndal dhunës ndaj grave!”.

Dyshohet se Albi Ceno, Oltjon Tahiri e Gentjano Mehmeti nxitën 26-vjeçaren që të përdorte lëndë narkotike dhe më pas, kryen marrëdhënie seksuale me dhunë me të.

Ndëkaq, shtetasi me iniciale V.K., 36 vjeç dyshohet se ka bashkëpunuar me tre të tjerët për të nxitur të renë që të konsumonte lëndë narkotike.

Në vijim të kësaj ngjarjeje të rëndë, një 57-vjeçar u vu nën hetim nga policia, pasi u denoncua se ka kërcënuar një gazetare nga Vlora, e cila bëri publik lajmin mbi këtë ngjarje.