Bota

Larg bujës, Angela Merkel vaksinohet me AstraZeneca-n!

Angela Merkel mori dozën e parë të vaksinës anti-COVID duke mbajtur kështu premtimin e saj se do të vaksinohej vetëm kur asaj t’i vinte radha. Një foto dhe një deklaratë e shkurtër ka qenë kjo mënyra që ka zgjedhur kancelarja për të treguar se është vaksinuar me AstraZeneca.

Kancelarja gjermane 66-vjeçare e mori vaksinën në qendrën e instaluar në ish-aeroportin Tempelhof të Berlinit.

Kjo qendër aktualisht po punon ekskluzivisht me AstraZeneca një vaksinë që është në dispozicion vetëm për personat mbi 60 vjeç në Gjermani. Rreth 3 mijë njerëz në ditë aktualisht mund të marrin një vaksinë atje. Vaksinimi i Merkel  u njoftua nga zëdhënësi i saj Steffen Seibert në një postim në Twitter ku citonte edhe deklaratën e parë të Merkel.

Jam e kënaqur që kam marrë dozën time të parë sot me AstraZeneca-n. Falenderoj të gjithë ata që janë të përfshirë në fushatën e vaksinimit dhe të gjithë ata që vaksinohen. Vaksinimi është çelësi për të kapërcyer pandeminë.

Shpesh herë Merkel ka kritikuar dhe kërcënuar të gjithë ata që kanë shmangur radhën e vaksinimit  mes tyre edhe shumë politikanë. Disa herë gjatë javëve të fundit, kancelarja ishte detyruar ti përgjigjej  pyetjes se kur do të merrte injeksionin dhe nëse do të merrte AstraZeneca-n? Përgjigja e saj ishte gjithmonë e njëjtë:

Kur të jetë radha ime do të vaksinohem dhe unë me AstraZeneca-n!