Politikë Sociale

Sërish në interpelancë, vijon në Kuvend përballja Braçe-Krifca për bujqësinë

Shqetësimet e fermerëve deputeti Erjon Braçe i çoi edhe këtë të enjte në foltoren e Kuvendit, ku thirri sërish për interpelancë Ministren e Bujqësisë Frida Krifca.

“Dy probleme janë të qarta dhe të verifikuara gjatë kësaj periudhe, sa herë që bëhet fjalë për bujqësi dhe për prodhim: kostot e prodhimit dhe çmimet e prodhimit, të dyja të dala nga duart e bujkut. Edhe pse bujku ka tokën dhe mjetet e prodhimit, përsëri nuk ka në dorën e tij as kostot e prodhimit, as çmimet e prodhimit, pasi bujkun e kanë bërë thjesht një punëtor bujqësie dhe jo zot të prodhimit dhe të çmimeve të tij.”

Frida Krifca nuk i mohoi problematikat, por argumentoi se ministria që ajo drejton ka kryer investime të vazhdueshme për infrastrukturën e bujqësisë.

“Mbështetja e bujqësisë dhe zhvillimit rural nuk mundësohet vetëm nëpërmjet pagesave direkte tek fermerët, por dhe përmes investimeve të vazhdueshme të qeverisë në zhvillimin rural, përmirësimi e infrastrukturës rrugore, rritjen e konektivitetit, aksesit të përmirësuar në tregje kombëtare e ndërkombëtare, infrastrukturën ujitëse, kulluese, rritjen e sigurisë, aksesin në edukim cilësor, si investime që përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët në zonat rurale.”

Akuzat e Braçes shkuan më tej, teksa deklaroi se ministria e Bujqësisë nuk bën kontrolle në territor.

“Nuk keni bërë asnjë takim, zero, për zgjidhjen e problematikave në Bashkinë Lushnjë. Sipërfaqja 100 ha ka qenë e lirë, pse nuk është shfrytëzuar, ka marrë tokë me qira he e bënë luleshtrydhe. Kjo është toka me ferra dhe e papërdorur.U keni marrë banorëve 40 mijë hektarë, por ajo tokë u takon banorëve dhe pikë. Një ministri që nuk kontrollon territorin, kontratën, ose është e mbushur me njerëz të painteresuar për punën, pa ambicie, ose është e mbushur me dembelë. Unë dembelët nuk i kuptoj, nuk përshtatem dot me ta, madje nuk i duroj dot fare”, akuzoi Braçe.

Krifca u kundërpërgjigj duke i kujtuar Braçes postin e zëvendëskryeministrit që ka mbajtur mandatin e kaluar, ndërsa e ftoi që çështjet t’i zgjidhin bashkarisht.

“Do kishte qenë më efikase për kohën nëse do të m’i sillnit në zyrën time e t’i diskutojmë. Ne kemi punuar shumë fort nga 2013 e këtej, juve keni qenë zv.kryeministër. Ky zinxhir patjetër që ka vend për përmirësim, për dinamikë shumë të sinqertë mes njëri-tjetrit. Por ministria ka në dispozicion vetëm disa instrumente. Nga 40 pika grumbullimi funksionojnë mbi 100 prej tyre. Mund të punojmë bashkarisht për ta përmirësuar, por jo t’i shkojmë ndryshe”, deklaroi Krifca.

I bindur se grumbulluesit bien dakord duke përcaktuar çmimet e produkteve bujqësore, Braçe publikoi edhe një foto duke shtuar se ky fenomen ndikohet nga politika.

“Ku ishte deputeti i PD-së zonja ministre? Këta po ndjekin politikën, ajo që ka ndodhur me çmimin e shalqirit është politike. Të tre ja ku i keni, po të doni pyetini, ku kanë pirë e kanë ngrënë dje në darkë. Jo i madhi fare, i madhi i Donit, se ai ishte duke ngrënë peshk në hyrje të Lushnjës”, u shpreh Braçe. Kjo ishte interpelanca e tretë që Brace zhvillon brenda pak ditësh me ministren e Bujqësisë.