Bota

Gjermani, masat anti-COVID pritet të zgjasin deri në këtë datë!

Gjermania pritet të zgjasë masat aktuale kufizuese ndaj koronavirusit deri në 18 prill. Kancelarja Angela Merkel thotë se pa masa të qarta kufizuese, numri i infektimeve të reja do të rritet aq shpejt sa që në prill mund të pritet një mbingarkesë e sistemit shëndetësor.

Për rrjedhojë Merkel mund të aktivizojë në vijim të ashtuquajturin “frenë e urgjencës”, ku ndër të tjera propozohen kufizimet në liri-dalje si orë policore 22:00-5:00 të mëngjesit. Flitet gjithashtu për mbylljen e shkollave dhe kopshteve nëse arrihet një incidencë infektimi 200 për 100 mijë banorë. Merkel këshillon të mos udhëtohet gjatë Pashkëve brenda dhe jashtë Gjermanisë.

Për të zgjatur masat kufizuese patën rënë dakord më parë landet federale të drejtuara nga socialdemokratët e SPD. Përfaqësuesit e këtyre landeve pritet të propozojnë që të lejohen pushime në landin vetjak federal për sa kohë që njerëzit kujdesen vetë për strehimin dhe ushqimin vetjak, për shembull duke marrë me qira shtëpi për pushime ose në autokampe.

Rikujtojmë, se dy ditë më parë u rivendosen masat e izolimit anti-COVID në disa vende evropiane. Madje, disa vende si Italia, Franca dhe Gjermania kanë rifilluar vaksinimin me vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s.