Celebrities Music Top Albania Radio Special

Top Albania Radio ju njeh me 20 këngët origjinale më të mira në historinë e “Oscar”!

Një tjetër speciale ekskluzive nga Top Albania Radio. Këtë here do të njihemi me disa nga këngët origjinale më historike në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars”, dedikuar kategorisë “Best Original Song”.

Imagjinoni një skenë filmi….ti je në kolltukun tënd ose në kinema dhe pret të shohësh filmin “Star Wars”… Mbylli sytë…përveç figurës çfarë të vjen në mendje? Tinguj shpatash, tinguj lazeri, ndoshta një muzikë epike në sfond, diçka ‘uptempo’ ose dhe teknologjike… E pra, është pikërisht kjo muzikë e cila amplifikon gjendjen e spektatorit dhe ngjall imazhe. Nuk ka një moment ku ti flet për një film dhe nuk ke kujtuar kolonën zanore apo nuk ke folur pikërisht se sa e bukur është kënga e këtij filmi që të ka mbetur në mendje… Kjo pra miq është magjia e këngës së filmit. E ke pyetur veten pse ndjen gjithmonë nostalgji për filmin tënd të preferuar edhe pse kanë kaluar shumë vite? Pse përherë ke ëndërruar të jesh pjesë e një filmi, mundësisht tek skena ku shoqërohej nga muzika më kulmore? Sepse pikërisht janë këto këngë që të gozhdojnë e të bëjnë ta shohësh dy, tre, mbase dhe pesë herë filmin tënd të preferuar.

Tani do të njihemi me 20 kolonat zanore, thënë ndryshe këngët origjinale më të mira në historinë e “Oscar”. Përpara se të nisim renditjen vlen të përmendim që ky ishte viti i 94-të i eventit më të rëndësishëm të kinematografisë botërore… Duhet thënë që kategoria “kënga më e mirë origjinale” është propozuar si kategori në edicionin e 7-të të “Oscar”… për të nderuar filmin e përzgjedhur të vitit 1934, “The gay divorce”, një komedi muzikale ku kënga “The Continental” u shpall si kënga e parë në historinë e “Oscars” që rrëmben çmimin për këtë kategori. Në kaq shumë dekada shumë artistë të ndryshëm në rryma, etnicitet, moshë janë nominuar dhe vlerësuar në këtë kategori.

20. Billie Eilish – “No time to die”

Çelim kështu vendin e 20-të, triumfuesja më e re Billi Eilish me këngën “No time to die”, fituese në këtë edicon të 94-të. Përpos polemikave, faljeve publike dhe shpullave, ky edicon i 94-të do të mbahet mend dhe për një rekord të thyer pikërisht nga Eilish… Zyrtarisht ajo është artistja më e re në moshë e cila vlerësohet me një “Oscar”… Po ashtu ajo është artistja e parë e lindur në shekullin e 21-të që fiton një “Academy Award”. Kënga e saj “No time to die” është një këngë e krijuar për filmin më të fundit dedikuar sagës së James Bond. Sa për ta ditur kjo është një nga disa këngët punuar për sagën James Bond që ndër vite është vlerësuar me “Oscar”. E pyetur për krijimin e këngës së bashku me vëllain e saj ajo tha:

Kemi qenë të frikësuar, shumë të intimiduar, por ne jemi rritur me sagën James Bond të paktën sa mbaj mend unë të jem në këtë jetë, por është e çuditshme që nuk ishim konfuzë sa i përket krijimit të këngës. Sfida jonë me e madhe ishte që të kishim një këngë autentike për James Bond dhe një këngë autentike për Billie-n… dhe rezultati është i dukshëm…

Me këtë çmim, Eilish është tashmë artistja më e re që ka fituar tre çmime për të njëjtën këngë. Këtë sezon çmimesh, ajo mori një “Emmy”, një “Grammy” dhe një “Golden Globe”. Eilish dhe vëllai i saj Finneas mundën Lin-Manuel Miranda, (i nominuar për “Dos Oruguitas” të “Encanto”) i cili do të kishte arritur statusin EGOT (status që i takon një artisti i cili fiton të gjitha çmimet). Epo… nëse do të fitonte.

19. Bob Dylan – “Things have changed”

Nga 2022 do të kalojmë në edicionin e vitit 2001, ku kënga më e mirë origjinale e edicionit të 73-të të “Oscars” u shpall “Things have changed”, kënduar nga legjendari Bob Dylan. “Things have changed”, kolona zanore e filmit “Wonder boys” të skenaristit Curtis Hanson në vitin 2000. I cili është cilësuar po ashtu si bashkëpunimi që lindi nga kimia shpirtërore… Hanson kishte qenë një adhurues i muzikës së Bob Dylan që nga fëmijëria, nga ana tjeter Dylan admiroi filmin e mëparshëm të Hanson, “L.A. Confidential”, të dy kërkuan në momentin e duhur bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Hanson zgjodhi Dylan sepse, sipas tij askush më mirë se Dylan nuk e di ç’do të thotë të jesh djali i mrekullive edhe kur vuan frikën e përsëritjes së vetes. Duhet thënë që krahas filmit Hanson xhiroi një klip enkas për Dylan ku bashkoi skenat e tij dhe skena nga filmi duke e bërë kështu Dylan mirëfilli pjesë të filmit. Kritika po ashtu e ka shpallur këtë këngë si një nga 5 këngët më të mira të Dylan regjistruar në shekullin e 21.

18. Jai ho – A.R Rahman FT.The Pussycat Dolls

Tani glamurit të “Oscar” do i shtojmë ca erëza, se kur bëhet fjala për këtë kolonë zanore, nuk ka shafran dhe aromë që nuk ta sjell ndër mend Indinë… Viti 2008 solli një risi sa i përket fituesit të kësaj kategorie, sepse për herë të parë në “Oscars” triumfuese ishte një këngë 100% në gjuhë të ndryshme nga anglishtja, duke e bere “Jai-ho” këngën e filmit “Slumdog millionaire” një nga të paktat këngë diverse në “Oscars”. Po në të njëjtin vit producenti A.R Rahman u nderua me dy çmime “Oscar”, pikërisht për muzikën origjinale më të mirë.

17. Donna Summer – “Last dance”

Do të kalojmë tani në vitin 1978-1979, specifikisht në edicionin e 51-të të “Oscars”, ku risia e rradhës është se triumfuese e kategorisë “Best original song” është një këngë e rrymës disco, Donna Summer me “Last dance”. E realizuar në vitin 1978 si kolonë zanore e filmit “Thank God it’s Friday”, ku Summer ka qenë dhe aktore. Një këngë që fillimisht u refuzua nga Donna Summer. Sipas producentit të vertet të këngës, Bob Esty, bashkëproducentët Paul Jabara dhe babai i muzikës disco, Giorgio Moroder, e kishin mbyllur Summer-in në një banjë hoteli në Puerto Rico dhe e kishin detyruar të dëgjonte një kasetë të tij duke kënduar një version të përafërt të “Last Dance”. Summer më pas i pëlqeu kënga dhe Jabara dhe Moroder i kërkuan Esty-s të punonte me ta për një marrëveshje që Summer të bënte regjistrimin e saj nën emrin e tyre. Esty kujton:

Natën që përfundova orkestracionin e këngës, po atë natë, Giorgio Moroder regjistroi vokalin e Donna-s pikërisht ashtu siç ajo këndoi demon dhe më ndaloi të merrja pjesë në seancë. Përkundër faktit se Giorgio-s nuk i pëlqeu kënga dhe nuk donte që Donna të këndonte me një stil të plotë zëri, mendova se të paktën do të merrja meritë për bashkëprodhimin e këngës dhe bashkë-shkrimin e këngës. Ai dhe Paul Jabara morën “Oscar”. Mësova një mësim të hidhur nga kjo.

Por gjithsesi “Last dance” mbetet një nga këngët e para disco që nis si një baladë e më pas ndryshon strukturën…

16. Sam Smith – “Writing’s On The Wall”

Kur vjen puna tek artistët më special të kësaj dekade, ai padyshim që është një ndër më të spikaturit. Bëhet fjalë për Sam Smith i cili në vitin 2015 realizoi materialin “Writing’s On The Wall” për filmin “Spectre”. Fituesi i edicionit të 88-të në kategorinë “Best Original Music”.

Në rend kronologjik kjo është kënga e dytë nga saga e James Bond që vlerësohet me një çmim “Oscar”. “Writing’s On The Wall” u shkrua nga Smith dhe Jimmy Napes. Ata e kompozuan këngën në më pak se gjysmë ore dhe regjistruan shpejt një demo. Kur e dëgjuan përsëri regjistrimin, ishin aq të kënaqur me performancën vokale të Smith, saqë përfunduan duke e përdorur atë në publikimin përfundimtar. Më 8 shtator 2015, Sam Smith njoftoi se do e këndonte këngën për filmin e James Bond, “Spectre”. Po ashtu grupi anglez Radiohead kompozoi një këngë për filmin, “Spectre”, e cila mbeti e papërdorur, duke i lënë Smith ekskluzivitetin e këtij projekti. Fillimisht kënga mori kritika të përziera.  Alexis Petridis i “The Guardian” shkroi se kënga u përpoq të kapte gjendjen shpirtërore të “Skyfall” të Adele, por “nuk tingëllon aq mbresëlënëse”… Lewis Corner i “Digital Spy” e vlerësoi atë me 3 nga 5 yje. Në fjalimin përshendetës, Smith tha:

Këtë çmim ja dedikoj komunitetit LGBTIQ. Sot qëndroj si një burrë gay krenar dhe uroj që një ditë të jemi në këtë skenë si të barabartë.

15. Elton John – “Can You Feel The Love Tonight”

Kjo këngë na zgjon të gjithëve nostalgji. Në vendin e 15-të vjen kolona zanore e “Lion King”, “Can You Feel The Love Tonight” kënduar nga Sir Elton John. “Can You Feel The Love Tonight” është një këngë nga filmi i animuar i Disney-t i vitit 1994, “The Lion King” i kompozuar nga muzikanti anglez Elton John me tekst nga Tim Rice. Është përshkruar nga Don Hahn (prodhuesi i filmit), Roger Allers dhe Rob Minkoff (regjisorët e filmit) si kënga me historinë më të larmishme” në film. Në ceremoninë e 67-të të çmimeve të Akademisë në Mars 1995, kënga fitoi çmimin e Akademisë për këngën më të mirë origjinale. Në të njëjtin vit, kënga fitoi gjithashtu çmimin “Grammy” nga Elton John për performancën më të mirë vokale të zërit pop mashkullor. Gazeta suedeze “Aftonbladet” e përshkroi “Can You Feel The Love Tonight” si një “baladë vërtet të mirë”. Larry Flick nga Billboard shkroi:

Zëri i veçantë i John ndahet në tonin thuajse orkestral të kësaj kenge.

Ai shpjegoi:

Ai prek tekstin e zhytur në mendime të këngës, duke i dhënë asaj një dimension të ngrohtë, njerëzor që do të humbiste nga një interpretues më i vogël.

Në vitin 2016, David Ehrlich i revistës “Rolling Stone” e renditi performancën e këngës së John në vendin e 12-të, sa i perket performancave te “Oscars” ndër vite.

Sipas një sondazhi të vitit 2020 nga “OnBuy” u zbulua se çiftet që zgjodhën “Can You Feel The Love Tonight” si këngë për kërcimin e parë në dasmën e tyre, kishin më shumë gjasa të qëndronin së bashku, në një përqindje me 77%.

Sir Elton John po ashtu pati disa kushte për realizimin e kësaj kënge legjendare. Kënga ishte planifikuar të këndohej vetëm nga Timon dhe Pumba, por Sir John nuk e pëlqeu natyrën komike të konceptit. John deklaroi se “Can You Feel The Love Tonight” kishte për qëllim të ndiqte “traditën e Disney-t të këngëve të mrekullueshme të dashurisë” dhe se mund të “shprehte ndjenjat e luanëve për njëri-tjetrin shumë më mirë sesa dialogu”. Rezultati përfundimtar ishte kënga e kënduar kryesisht nga një zë jashtë ekranit (Kristle Edwards) me vargje të shkurtra nga Simba (Joseph Williams) dhe Nala (Sally Dworsky), pjesa e fillimit nga Timon (Nathan Lane) e përfunduar nga Elton John.

Dua të falenderoj jurinë e Akademisë për vlerësimin me këtë çmim, Hans Zimmer që bëri një punë fantastike me orkestrimin, këdo në Disney, prindërit e mi, David, miqve të mi që punuan në këtë projekt. Dua t’ja dedikoj këtë çmim gjyshes sime Ivy, e cila ndërroi jetë javën e kaluar. Ajo ishte gruaja që më uli në piano kur unë isha 3 vjeç dhe më mësoi të luaj… Ky çmim shkon për ty gjyshja ime…

Prekëse apo jo?

14. “Let It Go – Idina Menzel

Një baladë drithëruese që shkrin çdo ajsberg mijëvjeçar, “Let It Go” nga Idina Menzel. “Frozen” i Disney-t shpërtheu në kulturën popullore pas publikimit në 2013. Personazhet e dashur të animuar dhe humori i shpejtë rezonojnë me të gjitha moshat, ndërsa kolona zanore e filmit e forcon “Frozen” si një klasik bashkëkohor. “Let It Go”, është shkruar nga çifti i kompozitorëve, Kristen Anderson-Lopez dhe Robert Lopez, është kënga përgjegjëse për një pjesë të rëndësishme të suksesit të filmit. Suksesi i këngës qëndron në emocionin e pa-manipuluar që ekipi i Lopez ishte në gjendje të fuste në tekst. Jennifer Lee, shkrimtarja dhe regjisorja e “Frozen”, përshkruan një lloj emocioni universal që gjendet në “Let It Go” gjatë një interviste me skenaristin John August. Teksa flet për personazhin e Elsas, Lee thotë:

Gjithçka është konceptuar për të treguar se kush është ky njeri që e ka mbajtur për vete për kaq shumë kohë diçka, por që në fakt kërkon të ndiejë lirinë, andaj revolta dhe trishtimi e kapin, sepse është vetëm dhe nuk ka kujt t’i drejtohet. Ky person e sjell vetminë si një tabelë qitjeje të cilën dëshiron vetëm ta shigjetojë, me dëshirën e lirisë. Refreni i këngës ilustron këtë ndjenjë.

Ky koncept emocionues i protestës së brendshme i lejon çdo dëgjuesi të miratojë “Let It Go” si një himn për betejat e tij unike. Për shembull, stafi i produksionit “Frozen” iu përgjigj fuqishëm këngës. Lee thotë:

Gjysma prej nesh po qanin…por ndiheshim të shëruar…

Çifti Lopez gjetën frymëzim për “Let It Go” duke parë botën përmes syve të Elsa-s. Ata e shkruan këngën brenda një dite”. “Let It Go” këndohet nga Idina Menzel e cila dublon zërin e Elsa-s dhe më vonë Demi Lovato në një version pop të këngës origjinale. Ndikimi i kësaj kënge i la hapësirë realizimit të “Frozen II” dhe vazhdon të ndikojë me shumicë në industrinë krijuese. Gjatë ceremonisë së “Oscar”, çifti i kompozitorëve ia dedikoi çmimin vajzave të tyre duke u shprehur:

Ky çmim u shkon vajzave tona Katy dhe Annie. Kjo këngë është frymëzuar nga dashuria që kemi për ju dhe nga shpresa që ju asnjëherë nuk do lejoni që frika apo turpi t’ju pengojë të jeni vajzat unike që jeni… Ju duam!

13. Doris Day – “Que Sera, Sera”

Tani do të bëhemi pak klasik pasi vjen fituesja e vitit 1956. Kënga fillimisht u shfaq në filmin e Alfred Hitchcock, “The Man Who Knew Too Much”. Në film këngëtarja, Day luan një këngëtare në pension, Jo McKenna, e cila, së bashku me burrin e saj (të luajtur nga Jimmy Stewart) dhe djalin, përfshihen në një komplot për të vrarë një kryeministër të huaj. Pas prishjes së atentatit, Jo dhe bashkëshorti i saj ftohen nga kryeministri në ambasadë, ku besojnë se djali i tyre i vogël po mbahet nga komplotuesit. Jo ulet pranë një pianoje dhe luan “Que Sera, Sera”, duke kënduar me zë të lartë me shpresën që djali i saj do e dëgjojë në transmetimin televiziv. Me të dëgjuar nënën e tij duke luajtur këngën e njohur, djali i rrembyer I Jo-së dërgon sinjale, duke lejuar burrin e Jo-së të gjejë dhe të shpëtojë djalin, pak para se ai të vritej nga komplotuesit për atentatin. Një kuriozitet i vogël, në mënyrë që Hitchcock të kishte në filmin e tij aktorin Jimmy Stewart, agjentët e këtij të fundit i thanë që duhet të merrte në film këngëtaren Doris Day, ndonëse në fillim Hitchock nuk pranoi…

“Que Sera, Sera” u konsiderua si kënga më e njohur e Doris Day dhe ajo vazhdoi ta këndonte atë në filmat dhe paraqitjet e mëvonshme televizive në fragmente të shkurtra, si një lloj etikete në filmat e saj. Versionet e këngës janë shfaqur në një numër kolonash zanore të filmave dhe televizioneve, shpesh të ndërlidhura me ngjarje të errëta ose katastrofike për të krijuar një efekt të komedisë së zezë. Për shembull, në episodin e “Simpsons”, “Bart’s Comet”, kënga këndohet nga qytetarët e Springfield në pritje të një goditjeje të afërt të kometës që do të zhdukë qytetin dhe do t’i vrasë të gjithë.

12. Adele – “Skyfall”

Adele ka fituar “Oscar” për këngën më të mirë origjinale me “Skyfall”, i pari “Oscar” për një film Bond në 47 vjet. Filmi, pjesë e një ekskluziviteti që festoi 50-vjetorin e tij vitin e kaluar, ishte gjithashtu fitues i përbashkët në kategorinë e performancës vokale. Në tetor 2012 këngëtarja dhe kantautorja britanike Adele konfirmoi se ajo kishte shkruar dhe regjistruar këngën me temë të filmit po me të njejtin titull, “Skyfall”. Kënga u publikua më 5 tetor 2012, një ditë e quajtur “Dita e James Bond” nga producentët pasi shënoi 50 vjet që nga dita e publikimit të sagës së parë të James Bond. Kënga u nominua dhe fitoi çmimin “Oscar” për këngën më të mirë origjinale. Ishte hera e parë që një këngë Bond fitonte dhe hera e katërt që ishte nominuar… Le të rikthejmë pak intervistën e Adele në kohë reale:

Gazetari: Përshëndetje! Jam Anthony nga “Deadline”. Është e vërtetë që ju e keni regjistruar këngën në 10 minuta?

Producenti: Jo… nuk do ta thoja këtë…

Adele: (Qesh)… Bashkëproducenti!                                                                                       

Producenti: Ne kemi regjistruar draftin e parë në 10 minuta… çfarë është thjesht… (mendueshëm).                                                                       

Adele: Është shumë qesharake në fakt… Duhet të them që zgjati pak më gjatë se kaq. Jemi të mirë, po s’jemi dhe aq shumë… Më vjen keq!

Gazetari: Adele si do festoni fitoren e çmimit?

Adele: Mendoj se do të shkoj në festën e ‘Vanity Fair’, mendoj që do të kaloj shumë mirë. Por duhet të ngrihem në orën 6 të mëngjesit, kështu që një gotë shampanjë dhe zhdukem nga sytë këmbët.

Adele ia dedikoi çmimin djalit dhe bashkëshortit të saj.

Faleminderit shumë, kjo është e mrekullueshme.

11. Bing Crosby – “White Christmas”

Kemi ardhur në momentin e një prej këngëve më legjendare në historinë e muzikës botërore, njëkohësisht këngën e parë me tematikë Krishtlindjesh të prezantuar në “Oscars”.

“White Christmas”, kënga fituese e çmimit “Best Original Song” në vitin 1943, specifikisht në edicionin e 15-të të “Oscars”. Specifikisht kjo ka qenë kolona zanore e filmit “Holiday Inn” publikuar në vitin 1942. Kompozitori i filmit kompozoi 12 këngë ku ndër to “White Christmas” triumfoi. Po ashtu kjo është kënga e parë komerciale e Krishtlindjeve në “Oscars”, kompozuar nga një kompozitor hebre.

10. Celine Dion & Peabo Bryson – “Beauty And The Beast”

Kënga fituese e edicionit të 64-të të “Oscars” në vitin 1992, është një këngë m tekst nga Howard Ashman dhe kompozuar nga Alan Menken, kompozitori legjendar i Disney, i cili ka krijuar kolonat zanore te “Sirena e vogël”, “Aladini”, “Pochahontas”, “Herkuli”, etj. Kënga në thelb përshkruan marrëdhënien midis dy personazheve të tij kryesore, Belle dhe Bishës, konkretisht se si çifti ka mësuar të pranojë dallimet e tyre dhe nga ana tjetër të ndryshojë njëri-tjetrin për mirë. Për më tepër, teksti i këngës nënkupton se ndjenja e dashurisë është po aq e përjetshme sa një “përrallë e vjetër sa koha”. “Beauty And The Beast” u regjistrua si një duet pop nga këngëtarja kanadeze Celine Dion dhe këngëtari amerikan Peabo Bryson.

Disney fillimisht rekrutoi vetëm Dion për të regjistruar një radio- version për të promovuar filmin. Megjithatë, studioja ishte e shqetësuar se e sapoardhura e atëhershme nuk do të tërhiqte një audiencë mjaft të madhe në Shtetet e Bashkuara, aq më tepër edhe për arsyen se kishte hequr dorë nga realizimi i kolonës zanore për filmin e animuar “American Tail”, kështu që ata thërritën Bryson për një duet. Në mars të vitit 1992, “Beauty And The Beast” fitoi çmimin e Akademisë për Këngën më të Mirë Origjinale në edicionin e 64-të. Çmimi iu dedikua tekstshkruesit Howard Ashman, i cili kishte vdekur nga SIDA më 14 mars 1991, tetë muaj para publikimit të filmit. Në fjalimin prekës të kompozitorit Alan Menken, pas falenderimeve të këngetarëve ai ia dedikoi çmimin dhe gjithë mbrëmjen poetit të ndjerë dhe te gjithë të sëmurëve me SIDA duke dhënë një mesazh shprese, ndërsa partneri i të ndjerit Bill Lauch, pranoi çmimin në emër të tij. Instituti Amerikan i Filmit e renditi “Beauty And The Beast” në vendin e 62-të në listën e organizatës me 100 këngët më të mëdha në historinë e filmit.

9. Irene Cara – “Flashdance…What a Feeling”

Një nga këngët më të famshme disco të viteve ’80, “What a Feeling” kënduar nga Irene Cara. Të gjithë e duam një kënge ritmike, që të bën të zgjohesh me shpresë, energji…Të gjithë kemi thënë: “Ej, i mbani mend ato këngët e viteve ‘80… se ç’kanë një magji ato këngë”. Nuk është as nostalgjia, as tolloni, as antenat me kanaçe, as kasetat që u ngec shiriti, por është ritmi, energjia dhe filozofia që këto këngë janë krijuar. Kënga “What a Feeling” është një prej tyre. “What a Feeling” është kenga fituese e edicionit të 56-të të “Oscars” nga filmi i vitit 1983 “Flashdance” me muzikë nga Giorgio Moroder dhe tekst nga Keith Forsey dhe interpretuesja e këngës, Irene Cara. Kënga u krijua pasi muzikantët panë xhirimet e filmit dhe specifikisht në skenën e fundit ku personazhi kryesor kërcen përpara jurisë. Ata mendonin se ambicia e balerinit për të pasur sukses mund të vepronte si një metaforë për arritjen e çdo ëndrre që një person ka dhe shkruan tekste që përshkruanin se çfarë ndjesie kemi kur muzika frymëzon dikë të kërcejë. Mes emocioneve këngëtarja triumfuese e edicionit të 56-të të “Oscars” u shpreh:

Për mua është mjaftueshëm nderim vetëm fakti që jam e nominuar mes artistëve të mëdhenj. Dua t’ja dedikoj këtë çmim familjes sime, pa të cilët unë nuk do isha këtu. Falenderoj menaxheren dhe mikeshën time të dashur Selma Ruben, dashuria, përkushtimi dhe mbështetja e saj për 10 vite më ka bërë të jem kjo që jam sot… Dhe në fund dua të falenderoj njeriun më të rëndësishëm… Aalan Parker kjo është për ty.

Por nuk ishte vetëm glamur dhe shampanjë… Pasi kënga korri suksesin e saj, Irene Cara kuptoi se asaj nuk i ishin paguar honoraret që i ishin parashikuar në kontratën e saj të regjistrimit dhe ajo ndërmori veprime ligjore kundër studios menaxhuese për t’u kompensuar. Reagimi që ajo pretendon se pësoi në shenjë hakmarrjeje për ngritjen e një padie, e la atë të ndihej e mbyllur nga industria e muzikës zbavitëse ndërsa luftonte për të gjetur punë. Edhe pse ajo filloi të merrte honorare për regjistrimet që bëri për ta, studioja menaxhuese dhe pronari i saj deklaruan falimentimin dhe pretenduan se nuk ishin në gjendje t’i paguanin pagesën prej 1.5 milionë dollarësh që iu dha nga Gjykata e Lartë e Los Anxhelosit këngëtares së hitit “What a Feeling”.

8. Berlin – “Take My Breath Away”

“Take My Breath Away”, kolona zanore e filmit “Top Gun”, fituese në kategorinë “Best Original Song” në vitin 1986. Le të njihemi me rrëfimin e këngetares së grupit Berlin, Terry Nun, se si kënga dhe grupi gjetën njëri-tjetrin:

Ne ishim në fillimet tona dhe adhuronim punën e Giorgio Moroder. Pas shumë kontaktesh iu lutëm të punonim me të, por kishim mundësi ekonomike ta paguanim vetëm për një këngë. Ndërkohë Giorgio kishte provuar shumë këngëtarë për këngën “Take My Breath Away”, por producentët e filmit i kishin refuzuar të gjithë, kështu që Giorgio na sugjeroi. Ne nuk kishim patur hite të mëdha, por ai kishte fuqinë të ishte shumë bindës. Pasi ëndrra na u realizua shkuam në studion e tij dhe mbaj mend që më thoshte: “Duhet thjeshtësi në vokal, pasi njerëzit duan të këndojnë me ty, por njëkohësisht duan të përcjellësh dhe dashuri”.  Në ato vite isha aq e zënë me grupin sa nuk kisha pasur lidhje për katër vjet. Kështu që e këndova nga një ndjenjë trishtimi dhe malli dhe ndoshta kjo ishte ajo që bëri jehonë.

Nga ana tjetër Giorgio Moroder përpos gjetjes së vokalistëve kishte probleme me vendosjen e tekstit. Ai u shpreh:

Isha duke krijuar këngën në studion time dhe Ferrari im personal kishte probleme me frenat… Një ditë një djalë, Tom Whitlock, erdhi dhe tha se ishte mekanik dhe mund ta rregullonte.

Më vonë ai tha:

Oh dhe, meqë ra fjala, jam edhe tekstshkrues. Nëse keni nevojë ndonjëherë për disa fjalë…” Unë kurrë nuk kam qenë i zoti në tekste, kështu që i dhashë atij demot e mia. Ai shkroi fjalë për “Danger Zone” dhe “Take My Breath Away” ndër të tjera dhe imazhet ishin perfekte. Sa i përket këngës “Take My Breath Away” është vepra ime e preferuar, për shkak të komponentëve dhe mënyrës se si Terri e këndon atë. Ajo fitoi këngën më të mirë origjinale në “Golden Globes” dhe “Oscarin” tim të tretë. 

7. Eminem – “Lose Yourself”

Për këdo që është adhurues i “Oscars” mos mendoni se kemi harruar një nga artistët dhe një nga këngët më ikonike në këto 94 vite event… s’ka nevojë për asnjë fjalë më tepër… “Lose Yourself” është një këngë nga reperi amerikan Eminem nga kolona zanore e filmit të vitit 2002, “8 Mile.” Kënga është kompozuar dhe prodhuar nga Eminem. Teksti i këngës përmbledh në mënyrë të qartë sfondin e personazhit të Eminem në “8 Mile”, B-Rabbit. Kënga përfshin disa tema agresive, kryesisht që kanë të bëjnë me betejat e trajtuara nga B-Rabbit dhe se si ai përfundimisht i kapërcen problemet dhe pengesat e tij të shumta për të fituar respektin e reperëve të tjerë.

“Lose Yourself” fitoi çmimin “Oscar” për këngën më të mirë origjinale, duke u bërë kënga e parë hip hop që merr çmimin dhe gjithashtu fitoi çmimin “Grammy” për “Këngën më të mirë Rap dhe “Performancën më të mirë Rap Solo”. Në vitin 2004, ishte një nga tre këngët hip hop të shekullit të 21-të që u përfshi në listën e 500 këngëve më të mëdha të të gjitha kohërave të “Rolling Stone”.

6. Lady Gaga & Bradley Cooper – “Shallow”

Ka ardhur koha të zhvendosim pak gjendjen emocionale nga revolta, gangsterrllëku në ca doza më melankolike. Në momentin që publiku e dashuroi për herë të parë, askujt nuk i shkoi në mendje që ajo vajza rebele e “Poker Face” do rrëmbente zemra dhe do bëhej himni i dashurisë së shumë personave. Nga Gaga ekstravagante, në vitin 2018 u mahnitëm nga Gaga më artistike se kurrë, duke shpalosur dimensionet e saj…

Duhet thënë që të gjithë pajtohemi se ‘remake’ i katërt i filmit “A star is born” është totalisht fenomenal . Duke folur për Zane Lowe në “Beats 1 Radio”, Gaga shpjegoi rëndësinë e “Shallow”:

Ne e bëmë këtë për Ally dhe Jack. Janë dy njerëz që flasin me njëri-tjetrin për nevojën dhe dëshirën për t’u zhytur në fundin e thellë [të jetës dhe dashurisë] dhe të qëndrojnë larg zonës së cekët. Është një këngë që flet jo vetëm për ata që jeta nuk ka qenë gjithmonë e drejtë apo e sjellshme, por edhe për ata që mund të mos jenë edhe aq të mirë brenda. Dy njerëz bashkohen në një periudhë cënueshmërie intensive dhe zhyten në një romancë të fatit . Njëri shkon drejt abuzimit me drogën dhe alkoolin, ndërsa tjetri ngjitet drejt famës dhe besueshmërisë globale.

“Shallow” rrëmbeu trofeun në vitin 2019 në edicionin e 91-të të super eventit. Besoj të gjithëve ju kujtohet fjalimi ikonik i Gaga-s:

Nuk ka rëndësi të fitosh, me rëndësi është të mos dorëzohesh. Nëse keni një ëndërr luftoni për të, por ka një displinë për pasionin dhe nuk ka rëndësi sa herë refuzohesh, sa rrëzohesh apo fundosesh. Me rëndësi është të ngrihesh dhe të luftosh…

5. Lionel Richie – “Say You, Say Me”

Kënga pasuese është mirëfilli një këngë që hyn në sagën e këngëve më klasike në industrinë muzikore, “Say You, Say Me” nga Lionel Richie. “Say You, Say Me” është një këngë e realizuar në vitin 1985, si kolonë zanore e filmit “White Nights”. Në fjalimin e vitit 1986 teksa triumfonte kupën, ai u shpreh:

Kjo është një ëndërr e bërë realitet. Kaq shumë vite duke besuar dhe duke ëndërruar. Shumë familjarë e shumë miq që vazhdonin më thonin mos u dorëzo, vazhdo provo.

4. Bill Medley & Jennifer Warnes – “Time Of My Life”

“(I’ve Had) The Time Of My Life” kënduar nga Bill Medley dhe Jennifer Warnes dhe krijuar nga Frank Previte u përdor në filmin e vitit 1987 “Dirty Dancing” dhe që atëherë është bërë një nga këngët më të famshme pop në botë. Kënga fillimisht ishte menduar për Donna Summer dhe Joe Esposito, por Summer e refuzoi pasi nuk i pëlqeu titulli i filmit. Ylli i “Righteous Brothers”, Bill Medley, u kontaktua shumë herë gjatë dy muajve për të regjistruar këngën, por gjithashtu e refuzoi pasi vajza e tij McKenna do të lindte. Pas lindjes së vajzës së tij, Medley u pyet përsëri, pasi Jennifer Warnes tha se do ta regjistronte këngën nëse mund ta bënte duet me Medley. Warnes më vonë tha për këngën:

Unë mendoj se ishte një aksident që sapo lulëzoi. Askush nuk e mendonte se do të ishte kaq e madhe. Ishte thjesht një surprizë. Dhe ne bëmë më të mirën, Bill dhe unë. Filmi ishte i mrekullueshëm – ende popullor dhe do të jetë gjithmonë. Por unë kam menduar për të dhe kam pyetur veten pse e gjithë bota e do atë kaq shumë dhe mendoj se përgjigjja është sepse është mbi të gjitha e gëzueshme. Nëse e heq gëzimin nga ajo këngë, nuk është një hit.

3. Whitney Houston & Mariah Carey – “When You Believe”

Pas 10 vitesh në skenën e “Oscars”, njerëzimi do të njihte një nga duetet më ikonike në kulturen Pop & R’nB, dueti i Whitney Houston dhe Mariah Carey, “When You Believe”, kolona zanore e filmit të animuar “Princi i Egjiptit”.

Kur ti mendon këto dy super këngëtare të shkon mendja si janë bërë Carey dhe Houston së bashku… Epo gjithçka ka një përgjigje, të dyja në rrugë të ndryshme por me një qëllim të përbashkët. Gjatë zhvillimit të “All That Glitters” (një film për të cilin Carey po punonte në atë kohë, i njohur më vonë si “Glitter”), ajo ishte njohur me bashkëpronarin e “DreamWorks”, Jeffrey Katzenberg, i cili e pyeti nëse do donte të regjistronte këngën “When You Believe” për kolonën zanore të filmit të animuar “Princi i Egjiptit”. Nga ana tjetër, Houston u njoh me projektin përmes këngëtarit Kenneth “Babyface” Edmonds, me të cilin kishte bashkëpunuar në albumin e saj, “My Love Is Your Love”. Pasi iu tregua filmi veçmas, të dy ish-rivalet skenike u bënë shumë entuziaste për pjesëmarrjen në projekt. Gjithsesi Houston dhe Carey mohuan çdo spekulim për rivalitet gjatë këngës. Në një intervistë me Ebony, Houston foli për marrëdhënien e saj me Carey:

Më pëlqeu shumë të punoja me të. Mariah dhe unë shkuam shumë mirë. Nuk kishim folur dhe kënduar kurrë më parë bashkë. Thjesht patëm një shans për shoqëri, këngëtare me këngëtare, artiste me artiste, diçka e tillë. Ne vetëm qeshnim, flisnim dhe qeshnim, flisnim dhe këndonim… Kimia jonë në mikrofon ishte si të ishim të dashura. Ne folëm për të bërë gjëra të tjera së bashku, nga ana e sipërmarrjes, gjë që është e bukur, sepse ajo ka një mendje diellore, të gjallë. Ajo vajzë…është një zonjë e zgjuar. Më pëlqen shumë Mariah.

Ndërsa dyshja vazhdoi të shprehte ndjenjat e tyre pozitive për njëra-tjetrën, tabloidët filluan të shkruanin të kundërtën. Kishte pretendime se të dyja kishin vullnet të keq kundër njëra-tjetrës dhe se u duhej ta regjistronin këngën veçmas për shkak të tensionit të vazhdueshëm. Por spekulimet mediatike u zhdukën teksa data e publikimit të filmit po afrohej. Të dyja këngëtaret pohuan se ishin bërë mikesha të ngushta dhe kishin vetëm gjërat më pozitive për të thënë për njëra-tjetrën.

2. Judy Garland – “Over the Rainbow”

Nga kënga fituese e edicionit të 73-të të “Oscars” do të kalojmë tek një nga këngët më përfaqësuese të kësaj ceremonie. Një retrospektivë na çon në vitin 1939 dhe nuk e kemi fjalën as për emancipimin e gruas, zbulimet më të reja kulturoro-gjeografike, stilin ‘cool’ të jetesës amerikane, por për këngën ikonike “Over The Rainbow” kënduar nga Judy Garland.

Është ndoshta kënga më e njohur dhe më ikonike e shekullit të 20-të, por njëkohësisht dhe një nga këngët me më shumë mesazh në historinë e njerëzimit. Shpesh është përkthyer si sinonim i përvojës hebreje të Luftës së Dytë Botërore. E shkruar në vitin 1939 me një fabul të forte, teksti rreth arratisjes përtej ylberit në një tokë “ku retë janë shumë prapa”, apeli i këngës vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe ka rrëmbyer zemrat e shumë njerëzve. Kompozitori italiano-hebre Harold Arlen pas zhvendosjes në SHBA, filloi krijimin e kësaj kryevepre pikërisht për t’i dhënë botës një shije nga aktualiteti i hidhur, por me nota fëminore dhe shprese. “Magjistari i Oz”dhe kjo kolonë zanore erdhën kur, bota ishte thellësisht e shqetësuar nga ngjarjet që po shpaloseshin nën sundimin nazist në Evropë. Harold Arlen u preokupua me zbutjen e ritmit në mënyrë që kënga të mund të këndohej më së miri nga një i ri, specifikisht një adoleshente. Ajo vajzë e re qëlloi të ishte Judy Garland në “Magjistarin e Oz”, e cila ishte vetëm 16 vjeçe në atë kohë dhe menjëherë u bë yll si rezultat i suksesit të filmit. Fituesja e edicionit të 12-të të “Oscars” sa i përket kategorisë “Best Original Song” është shpallur si kënga e shekullit të 20-të dhe ruhet si një këngë që i përket trashëgimisë kulturore botërore.

1. Celine Dion – “My Heart Will Go On”

Fituesja e edicionit të 70-të të “Oscars”, “My Heart Will Go On” kënduar nga Celine Dion ka qenë një nga këngët të cilat ajo ka kënduar me më pak dëshirë, së pari sepse në periudhën e regjistrimit ajo ka pasur dhimbje të forta menstruale dhe së dyti sepse Dion asnjëherë nuk pati besim në suksesin e këngës. Nga ana tjetër James Cameron ishte fillimisht kundra kësaj kënge sepse sipas imazhit që ai kishte krijuar mbi filmin, kënga nuk duhej të ishte Pop.

Regjisori Cameron vendosi të pranojë këngën pasi Celine Dion shpërtheu në lot. A doni të dini sa herë e ka regjistruar këngën Celine Dion? Të gjithëve mund të na shkojë mendja që ajo ka shpenzuar ditë të tëra në studio, por jo. Celine Dion e ka kënduar këtë këngë plot një herë.