Art & Kulturë Film & Tv

“Babylon” Kryevepra e shthurur dhe e shpërfillur nga sentimentalisti i “La La Land”.

189 minuta – pra 3 orë e 9 minuta. Kaq i gjatë është filmi më i ri i Damien Chazelle regjisorit të “Whiplash” dhe “La La Land“.

Në epokën ku videot më të gjata që njeriu mesatar mund të shohë nuk i kalojnë 15 sekondat (faleminderit Tik Tok), tingëllon vërtet si një lloj vetvrasje e ngadaltë të shohësh një film kaaaaq të gjatë, por arsyet për ta parë janë shumëfishe: orgji, elefantë, pak BDSM dhe Margot Robbie, sa për të përmendur disa. Dhe këto janë vetëm 15 minutat e para.

Kini pak durim ju lutem! Chazelle me vetëdije të plotë ka bërë një film përçarës, që e dashuron ose e urren. Është përgjigjia e tij për të gjithë ata njerëz (unë njëri prej tyre) që e quanin shumë të ndjeshëm në realizimet që mbanin vulën e tij ne të shkuarën. Ky është komplet një plumb ballit për epokën e filmave pa zë dhe atë që erdhi mbas tyre. Kohët kur arti i kinemasë u ndërtua ishin të ashpra e të çuditshme, të papërmbajtura e thuajse me asnjë rregull. Shpirtsëmurët dhe të uriturit për krijim mund të ri-shpiknin vazhdimisht veten e tyre, por jo pa kosto.

Këtë botë të afërt dhe të largët e njohim me sytë e dy individëve grykës: aktorja Nellie LaRoy (Margot Robbie) dhe asistenti i produksionit Manny Torres (Diego Calva). Të dy janë ri-krijime bazuar në personazhe të vërtetë të kohës siç janë shumica e protagonistëve të “Babylon“. Nellie ka penelata të Clara Bow, Joan Crawford, Jeanne Eagels dhe Alma Rubens. Amerikano-meksikani Manny është mishërimi i miliona emigrantëve të cilët i bënë vend vetes në industrinë e filmit duke e nisur nga zero.
Shkëmbimi i tyre është sa romantik aq edhe shpirtëror, një gërshetim i gjatë e i mundimshëm i një historie dashurie dramatike dhe fantastike në të njëjtën kohë. Calva ka zemrën e një poeti, ndëra Robbie interpreton në një nivel jashtë kësaj bote. Edhe pse trupa e aktorëve të filmit është e një bravure të lartë është pikërisht ajo, Margot Robbie që ndez zjarrin filmit dhe nuk e lë të shuhet për një çast. Të shumta janë momentet e saj të shkëlqimit, momente të paharrueshme të interpretimit të saj në ekran me të gjithë qënien e një bishe të vërtetë të skenës në gjëndje trans-i. Momenti im i preferuar – kur i largohet një feste të sërës së lartë në një seri veprimesh të paimagjinueshme, duke e mbyllur me fjalët:

Tani do shkoj të fus pak kokainë në pi***.

Edhe pse çmenduria e regjisorit vizionar për ti çuar vitet 20 në Hollywood në nivele shthurjeje nga më të paimagjinueshmet – nuk ka një moment të “Babylon” që të mos jetë autentik. Kolona zanore shkundëse e Justin Hurwitz ka dalë nga skena e nën-dheshme e Los Angeles-it të hershëm. Kostumet e Mary Zophre-s edhe pse të frymëzuara krjetësisht nga garderoba e Clara Bow tejkalojnë vitet e tyre me dekada. Çdo aspekt i këtij filmi është mbreslënës, kryesisht nëse je një fiksimaxhi kinemaje.

Do të gaboheshit po të mendonit duke lexuar këto rrjeshta, se teprimet e Chazelle janë sensacionalizma për ta bërë filmin të dashur për publikun. Atij as që ja ndjen për mendimin e publikut dhe/apo kritikës për veprën e tij. Këto teprime, këto ekstremitete të sjellin në mendje portretin e F. Scott Fitzgerald në Epokën e Jazz-it, ku përtej perdes së mëndafshtë ngjyrë arir, korrupsioni dhe kërrusja e moralit mbizotëronin.

Sa kushton pavdekësia?

Ky është thelbi i “Babylon”. Çfarë duhet për të kapur në film atë moment perfekt i cili do të ndikojë gjenerata – njësoj si episodi i lotit të Nellie-t në rolin e saj të parë.

Ri-ngritja e vetvetes është një lloj loje (meqë jemi në epokën e ‘e ban për lojë’) për protagonistët e filmit, si ylli Jack Conrad (Brad Pitt) i cili duhet të hiqet si një dashnor italian (një re-make i momentit të tij italian tek “Inglorious Basterds”, Lady Fay Zhu (Li Jun Li) e cila bën njëkohësisht joshësen e festave të shthurura dhe skenaristen e filmave pa zë deri në momentin kur këta të fundit ndalojnë së ekzistuari, bashkë me ta edhe qënia e saj. Trumpetisti afro-amerikan Sidney Palmer (Jovan Adepo), në atë që mund të quhet skena më e rëndë dhe e trishtë e filmit, i duhet të lyejë fytyrën me bojë të zezë këpucësh që të mos dallojë nga ngjyra e errët e instrumentistëve të tjerë, për të mos ‘ngatërruar‘ audiencën nga stereotipet e industrisë së atëhershme të kinemasë. Për t’ia dalë duhet duhet të bësh çdo gjë që është e mundur por duke patur shumë kujdes të mos ngrihesh mbi normat sociale të shoqërisë.

Tregimi i filmit që nis në 1926 kur Hollywood-i kalon nga filmat pa zë në ato me zë – si një katastrofë e vërtetë përshtatjeje. Futja e Zërit ishte vërtet një zhvillim i cili rrëfehet si asnjëherë tjetër me vrazhdësinë mbytëse që nuk do të linte asnjë prej komponentëve të një produksioni filmik pa prekur. Në të njëjtën kohë industria e filmit filloi të formalizohej, të bëhej serioze e të merrte një rol të ri; bashkë me të edhe një kod i ri moral dhe etik do të fillontë të pushtontë kodrat e Los Angeles-it, duke transformuar skenën e yjeve njëherë e përgjithmonë.

Në sezonin e ceremonive të çmimeve për kinemanë të këtij fillim viti ky është filmi më i snobuar. Një shpërfillje e pacipë. Mesa duket bosët e studiove preferojnë ojnat e Spielberg-ut më shumë sesa të vërtetën e një djaloshi të dashuruar me filmin po aq sa pararendësit e tij, por mbase, jo aq hipokrit sa ata.

Në mbyllje të filmit mbas një montazhi të çuditshëm, Damien Chazelle tregon vitet e heshtura të njërit prej personazheve [nuk dua t’iu prish asgjë]. Me lot në sy, ai sheh nga njëra prej studiove të filmit. A po qan për bukurinë e të gjithës apo dhimbjen e pamasë që ndjen si [një] ndërtues i saj, i diçkaje që është e ndryshme dhe e njëjtë..

Ky është provokimi i fundit i “Babylon”, i cili ngel pezull.

Përgjigjia varet nga ty.