Aktualitet Politikë

Opozita në aksion/Garda i mbylli derën, por deputetët hyjnë nga dritarja/Ndërpritet mbledhja e Ligjeve!

Vëmendja është përqëndruar në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ku opozita ishte bërë gati për vazhdimin e aksionit të radhës, në kuadër të angazhimit për të mos lejuar normalitet as në komisionet parlamentare, pa iu marrë parasysh kërkesat. Demokratët e afërt me Berishën e Bardhin kërkojnë mospërfshirje të Partisë Socialiste në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD-së, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Por, Garda kishte një Plan B dhe iu kyçi dyert “të përjashtuarve me nga 10 ditë” për kaosin në seancat plenare të 30 tetorit e 2 nëntorit. I pari që sfidoi efektivët ishte Flamur Noka, i cili kapërceu kangjellat.

Të tjerë, si Bledjon Nallbati dhe Ervin Salianji hynë nga dritarja, të ndihmuar nga kolegët që iu ofruan karrige për t’i lehtësuar ngjitjen.

Deputetët demokratë që hynë brenda ndërprenë punimet e Komisionit të Ligjeve. Dashnor Sula iu kthye ashpër Arben Pëllumbit e Klotilda Bushkës duke u shprehur i dhunuar pavarësisht se nuk kishte bërë asnjë shkelje gjatë tensioneve, në hyrje të Kryesisë së Kuvendit.

Sula: Po na rrahin o Arben!

Turp të keni, turp! Nuk jam hajdut. Por të më mbyllni derën, ça jeni ju? Ça të bëjmë ne? Të shtyjmë njëri-tjetrin? Si e mbyllët derën? Kush e mbylli? Gjej një rast kur i mbyllet dera deputetëve? Gjeni një rast!

Bushka: Nuk u ndaluan kolegët, Garda ndalon ata që janë të përjashtuar.

Sula: Ky është turp. Më dhunove atje o motër, të duket normalitet ty? Më tregoni tani, një muhabet… Keni humbur logjikën! Merruni me Saliun ose Nokën, ç’punë ke me këtë?!

Bylykbashi: Rregulloren nuk mund ta përdorni si mjet ndëshkimi.

Sali Berisha mbajti një fjalë në dritaren nga ku hynë të përjashtuarit e tha se “as Lukashenko e as Putin, nuk kanë vepruar kështu”. Ndërkaq, Komisioni i Ekonomisë vijon mbledhjen online për të diskutuar projektbuxhetin e 2024-ës. Edhe Ligjet online, mbledhja nis më 12:30.