Bota

Vazhdon kaosi për zgjedhjen e Presidentit në Itali/ Partitë politike i kërkojnë Mattarellës të qëndrojë edhe një mandat

Partitë në pushtet të Italisë i kërkuan Sergio Mattarella të vazhdojë si president për një mandat të dytë, pasi nuk arritën të gjenin kompromisin për një kandidat për president.

Mes debatesh dhe diskutimesh të forta, Sergio Mattarella mori 387 vota në votimin e shtatë për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Mattarella, 80 vjeç, e ka përjashtuar gjithmonë mundësinë e qëndrimit në detyrë dhe ende nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me këtë çështje, por me stabilitetin politik të vendit në rrezik, duket e pamundur që ai të jete në gjendje t’i rezistonte presionit.

“Italianët nuk meritojnë më ditë konfuzioni,” tha Matteo Salvini, kreu i partisë së Ligës së djathtë, duke i kërkuar Mattarellës “të bëjë një sakrificë” për të mirën e vendit.

Është hera e dytë radhazi që një presidenti i kërkohet të rinovojë mandatin e tij shtatëvjeçar.

Në vitin 2013, liderët politikë iu afruan kreut të atëhershëm të shtetit, Giorgio Napolitano, pasi edhe ata nuk arritën të gjenin një kandidat konsensusi.