Bota

Raketa ruse në disa qytete të Ukrainës, 19 viktima në Uman e Dnipro!

Rusia nuk ndalet dhe është në ditën e 429-të të luftës në Ukrainë. Mes natës së 27 prillit e mëngjesit të sotëm, raketat ruse ranë si shi në disa qytete të vendit. 19 persona, shumica në Uman humbën jetën, ndërsa sistemi antiajror ukrainas rrëzoi disa prej tyre në hapësirën ajrore të Kievit. Po në këtë hapësirë u rrëzuan dy dronë.  Burime zyrtare raportojnë se një grua dhe një fëmijë 3 vjeç u vranë në qytetin Dnipro.

Në Uman, raketat goditën godinat e banimit. Një objekt me 9 kate u dëmtua rëndë. Po ashtu pati njoftime për shpërthime edhe në qytetet Kremençuk e Poltava, sipas agjencisë së lajmeve, Interfax.

Kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit tha se ishte hera e parë në 51 ditë që Rusia sulmoi kryeqytetin ukrainas. Ende nuk ka raportime për viktima të mundshme në mesin e civilëve atje.

Sulmet vijnë në kohën kur besohet se forcat ukrainase po përgatisin një kundërofensivë ushtarake me pajisjet e reja, përfshirë tanket që u kanë dhënë aleatët perëndimorë. Në Bahmut, qytetin ku janë përqendruar luftimet, kudo është mbjellë vetëm shkatërrim.

Rusia u përball me vështirësi gjatë muajve të dimrit duke mos arritur të bëjë përparim në fushëbetejë. Tashmë prej 10 muajsh po tenton që të marrë kontrollin e Bahmutit, qytetit ukrainas që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut.

Aleatët e NATO-s dhe partnerët e grupit të kontaktit në Ukrainë kanë furnizuar Kievin me 1 mijë e 550 automjete të blinduara e 230 tanke. Kjo u bë e ditur nga shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg.

Sipas American 007, “Rusia mund të financojë luftën edhe për një vit”. Ndërkaq, Kremlini e cilësoi si “shpikje mediatike” lajmin e raportuar nga tabloidi gjerman Bild, sipas të cilit shërbimet sekrete të Kievit tentuan të vrisnin Putinin me një dron kamikaz.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen u shpreh:

Ukraina po lufton për të gjithë ne!