Bota Botë e Çuditshme

Autoritetet e Arabisë Saudite japin leje për vrasjen e personave që nuk pranojnë të largohen nga tokat e tyre!

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë dhënë leje për vrasjen e personave që nuk pranonjnë të largohen nga tokat e tyre, për t’i hapur rrugë projektit “futurist” të ndërtimit të qytetit ekologjik në mes të shkretëtirës. Akuza e rëndë vjen nga Koloneli Rabih Alenezi, ish-efektiv i shërbimit informativ në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në një rrëfim për CNN.

Sipas tij, një prej fshatarëve që nuk pranonte të largohej ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. BBC thotë se qeveria saudite dhe drejtuesit e projektit Neom nuk pranuan të komentojnë mbi akuzat. Ndërtimi i qytetit të së ardhmes do të kushtojë 500 miliardë dollarë dhe është pjesë e “Visionit 2030” të Arabisë Saudite, që synon të diversifikojë ekonominë përtej industrisë së naftës.

Flamuri i këtij projekti, “Linja”, është një qytet ekologji, pa makina, vetëm 200 metra i gjerë dhe 170 kilometra i gjatë. Brenda vitit 2030 vetëm 2,4 kilometra parashikohet të kenë mbaruar. Në këtë projekt, janë të përfshira dhjetëra kompani perëndimore. Rikujtojmë, se kompania shtetërore hekurudhore Saudi Arabia Railways ka arritur një marrëveshje prej 53 milionë dollarësh me kompaninë italiane të hoteleve Arsenale Group për të nisur trenin e parë luksoz në mbretërinë e Lindjes së Mesme.

I njohur si “Ëndrra e shkretëtirës”, treni me pesë yje do të realizojë një udhëtim prej 1300 kilometrash nëpër shkretëtirën dhe qytetet e Arabisë Saudite. Më konkretisht, udhëtimi do të fillojë në Riad, do të kalojë në Hail dhe do të kulmojë në Kurejat. Ky tren synon të promovojë turizmin brenda vendit, duke u ofruar vizitorëve dhe banorëve mundësinë të përjetojnë këtë mbretëri misterioze përmes udhëtimeve luksoze. Megjithëse nisja e parë e trenit është planifikuar për në vitin 2025, rezervimet do të hapen në muajt e fundit të 2024. Dizajni i trenit do të jetë i frymëzuar nga stili dhe traditat saudite dhe do të ketë 40 kabina luksoze që plotësojnë çdo nevojë gjatë udhëtimit skenik. Ai do të ketë një kapacitet maksimal prej 82 pasagjerësh.