The Blue Nowhere
Jeffery Deaver

Kur një hacker sadist, me emrin e koduar Phate, hedh sytë mbi Silicon Valley (vendi i kompanive kompjuterike më të fuqishme në amerikë dhe në botë), viktimat e tij zhduken në mënyrë misterioze, fare papritur. Phate ndërfutet në kompjuterin e presë së tij të rradhës, pushton jetën e saj dhe e tërheq atë drejt vdekjes. Për të çdo vrasje është një fitore në botën mbas ekranit të kompjuterit, e cila nga përdoruesit [profesionistë] quhet “The Blue Nowhere” (Bluja e kurrkundit). Mbas çdo vrasjeje, metodologjia e killerit të pazakontë bëhet edhe më e komplikuar duke i lënë hetuesit [thuajse] gjithmonë një hap mbrapa.

Publikuar: 2001
528 faqe
Përmbledhje

I dëshpëruar, shefi i Divizionit të Krimit në Policinë e shtetit në Kaliforni, liron nga burgu një tjetër hacker: Wyatt Gillette, për të ndihmuar në kapjen e një njeriu që më mirë se ai nuk e kupton kush. Gillette është i ngjashëm po aq sa i ndryshëm nga vrasesi Phate dhe lidhjet me këtë të fundit janë më shumë sesa sipërfaqësore. Në një lojë si macja me miun, atëhere kur duket se autoritetet janë më afër se kurrë për të kapur kriminelin, ai u shpëton duarsh duke i shkaktuar edhe më shumë dëm, dhe duke shtuar dyshimin edhe brenda skuadrës së policisë.

Vlerësime

Nëse emri i autorit ju duket i panjohur mjafton t’iu them se ai është i njëjti i librit të kthyer në film "Koleksionuesi i Kockave" ("The Bone Collector", 1999) me protagonistë Angelina Jolie dhe Danzel Washington. Jeffery Deaver ka botuar mbi tridhjetë romane dhe tre kolana me tregime. Librat e tij janë shitur në 150 shtete dhe janë përkthyer në mbi 25 gjuhë të ndryshme. Edhe pse rrallë herë më ndodh të lexoj romane thriller, duhet të them që ky është shumë argëtues. Jam i bindur që është shoqëruesi perfekt për një lexim pa shumë impenjime por njëkohësisht shumë interesant. Sigurisht mbas 22 viteve shumë prej gjërave të përshkruara në libër janë të tejkaluara.

Nuk e di sa prej jush që po lexoni këtë shkrim mbani mend kohën e kompjuterave Pentium, Floppy Disk-ët apo modem-at dial up. Sidoqoftë në një kohë kur përplasja jonë me teknologjinë është aktuale dhe e prekshme libri është plotësisht aktual. Hackerat vazhdojnë të jeni omni-potent, në shqipëri dhe në botë; si në rastin kur sulmuan serverat e të dhënave tona personale, në verën e 2022, të dhëna të cilat tashmë janë në duart e çdo keqbërësi atje jashtë, e kushdo i ngjashëm me antagonistin e librit mund të përfitojë prej tyre në po të njëjtën mënyrë. Po ashtu kompjuterat dhe atë që ato mund të bëjnë vazhdon të jetë temë dite me zhvillimin e inteligjencës artificiale, për të cilën jo pak njerëz të fushës [mjafton të përmendim këtu Z. Elon Musk] janë kundër; sikundër shtete si italia kanë ndaluar përdorimin e portaleve të inteligjencës artificiale si ‘Chat GPT/Open Ai’ për shkak të rrezikut të të dhënave personale.

Në librin që Jeffery Deaver publikoi në 2001 shkruhet pikërisht për këto gjëra; se si një njeri i specializuar (hacker-i) mund të futet në kompjuterin tënd dhe të dijë automatikisht çdo gjë për ty, duke e bërë shumë të lehtë çdo gjë që ky hacker ka ndërmend të bëjë me ty, edhe të të marrë jetën nëse do të dojë. Deaver imagjinon për një çast sikur të ekzistonte një individ i cili ishte njëkohësisht një gjeni në shkencat kompjuterike e paralelisht një vrasës serial, një psikopat i cili ka shpenzuar kaq shumë kohë matanë ekranit – në The Blue Nowhere – sa bota reale i duket e pavlerë, njerëzit që jetojnë në të vetëm numra, numra të cilët mund t’i fshish si me gomë, për të marrë disa pikë më shumë në botën e vërtetë, aty ku çdo gjë ka rëndësi botën kibernetike.

Deaver me kompetencë shkruan për një realitet të shumë personave, një realitet i cili (mbase) sa vjen edhe është bërë më keq. Jon Patrick Holloway ose Phate, siç quhet në botën Blu, është një mëndje e bukur dhe e mallkuar në të njëjtën kohë; një mëndje e cile duke u endur gjithmonë e më tepër online harroi botën e vërtetë. E ndërsa ai zhytej gjithmonë e më shumë, i ngjashmi i tij Gillette Wyatt, ishte duke ecur në një ekuilibër të hollë mes asaj dhe kësaj bote. Paralelisht me historinë parësore, rrugëtimi i Wyatt drejt asaj që ka rëndësi është një linjë që e bën librin disi më njerëzor dhe të prekshëm.

Autori nuk harron t’i japë rëndësinë e duhur të gjithë heronjve dhe anti-heronjve të tij në libër duke bërë lexuesin të lidhet me historitë e tyre të cilat janë shumë të rëndësishme për të kuptuar zgjedhjet e tyre përgjatë këtij thrilleri. Në një histori që lëviz shumë shpejt, Deaver humbet jo rrallë në teknikalitete të cilat mund të të tingëllojnë të pavlera, sidomos nëse njohjet e tua kompjuterike janë bazike, por në çdo kapitull arrin t’i rikthehet thelbit dhe të të bëjë që të mos ta lëshosh librin nga dora.

Aftësia e një libri të mirë thriller/krimi është pikërisht kjo, ta mbarosh me një frymë sepse je në ankth për çfarë do të ndodhë në faqen tjetër, në kapitullin tjetër. Ky libër e bën këtë plotësisht. Po kaq i aftë është autori i librit për të mos shitur fundin shumë herët. Historia ka aq shumë kthesa, aq shumë AS-a nën mëngë sa vetëm kur lexon faqen e fundit ti e kupton se "The Blue Nowhere" ka përfunduar.

Mund të them se ky është një prej librave më të mirë të këtij autori. Një libër i cili i përmban të gjitha në dozazhin e duhur dhe që përmbush të gjitha kërkesat për të qënë pjesë e librarisë suaj në shtëpi. Një libër që gjithashtu do t’iu bëjë të shihni me dyshim jo vetëm kompjuterin tuaj, por çdo pajisje të lidhur me internetin. A thua se nuk e kishim këtë merak mjaftueshëm….