Reginald Wyon, udhëtari i njohur anglez i shkroi disa rreshta kushtuar shqiptarëve rreth 1 shekull më parë, kur teksa rrekej të zbulonte vende të reja mbërriti në viset shqiptare. Shqipëria do të ishte një thesar për Wyon, ditët e së cilës nuk do t’i harronte lehtë. Gjithçka që përjetoi në veriun shqiptar, gjithë njerëzit që takoi apo pamjet e mrekullueshme të natyrës që e shoqëroi gjatë këtij udhëtimi, ai i hodhi në shënimet e tij, të cilat më 1916-n do të botoheshin në New York nga “Scribern & Sons” me titullin “The Balkans from within”.
76 faqe
Në rrëfimin për Shqipërinë, Wyon është tepër i sinqertë. Si anglez ai e di se guida e një udhëtari nuk duhet të ndryshojë, pasi nuk mund të jetë e dobishme për një tjetër që do të përshkojë të njëjtën udhë. Ai e quan të privilegjuar veten që është anglez, kjo për faktin se në atë kohë Anglia ishte e vetmja fuqi e madhe, e cila asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e Shqipërisë. Në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri Reginald nuk qe i vetëm. Ai u shoqërua nga padër Xhulioja, prift i fisit të famshëm të Triepshit.
Megjithatë, Shqipëria nuk është një përvojë që do t’ia këshilloja gjithkujt. Është e rrezikshme të udhëtosh në Shqipëri, nuk ka dyshim për këtë dhe njëkohësisht e domosdoshme të përgatitesh për një tur të tillë duke qëndruar për pak javë në afërsi të kufirit të tyre. Si rrjedhim, një anglez mund të udhëtojë dhe të përballet me më pak rreziqe se të tjerët. Më e mira është të udhëtosh me një prift françeskan.
Ndër rreshta të tjerë ai shkruan:
Më duhet të pohoj, ndershmërisht, se i paragjykoja shqiptarët para se të ndërmerrja këtë udhëtim të vogël. Ka zëra se ata janë me nam për pabesi dhe gjakderdhje, e megjithatë është me vend të thuhet se fqinjët dhe armiqtë e vjetër të tyre, malazezët janë përgojuesit më të mëdhenj. Shkova tek ata disi me frikë e dridhje. Ika me mendimin e fortë për t’u kthyer përsëri.