Where the Crawdads Sing
Delia Owens
Publikuar: 2018
368 faqe
Përmbledhje

"Where the Crawdads Sing"është një roman që sjell jetën e Catherine Danielle Clark (Kya) që nga fëmijëria deri kur akuzohet për vrasje duke rrezikuar dënimin me vdekje dhe më pas. Ky është romani i parë nga zoologia Delia Owens. Libri shkruhet në dy kohë të ndryshme të cilat gërshetohen vazhdimisht me njëra tjetrën prej fillimit deri në fund. Njëra linjë e librit ndjek fëmijërinë dhe më pas adoleshencën e një jetimeje në moçalet e Karolinës së Veriut në SHBA (North Carolina). Tjetra ndjek hetimet për vrasjen Chase Andrews një personalitet lokal në Barkley Cove (një qytet imagjinar në brigjet e K.V.).

 

Vlerësime

"Where the Crawdads Sing" kishte ca kohë që endej rafteve të shtëpisë sime, që kur Sara e kish blerë në një nga udhëtimet e saj mbasi kish lexuar për të në një artikull. Pak kohë mbasi e solli në shtëpi, morëm vesh për daljen e filmit bazuar në të. Pamë trailerin, dukej interesant – por pastaj thamë – ‘sa trailera duken interesant, mbase është më mirë të lexojmë librin në fillim’. Kohë kaluan, nëpër duar të tjerë libra, derisa rastësisht lexova një kritikë aq të keqe për filmin sa mendova: ‘ok, duhet ta lexoj këtë libër që më del tërë kohës para syve’.

Delia Owens, lindur dhe rritur në Xhorxhian Jugore (Southern Georgia), e ka patur jetën të lidhur qysh hëret me botën egër. Ajo dhe bashkëshorti i saj u njohën ndërsa studionin në Universitetin e qytetit të lindjes, u diplomuan për biologji dhe prej andej u morrën me zoologji, deri kur 39 vite më vonë ajo publikoi romanin e saj të parë që ishtë një kombinim i sjelljes së individëve dhe specieve në botën e egër, misterit, krimit dhe poezisë.

Premisa e lidhjes së pashmangshme të sjelljes njerëzore me atë që ndodh në botën e egër zhvillohet edhe më shumë se dokumentarët e David Attenborough që shihen nëpër skena filmash dhe serialesh rëndom këto vitet e fundit.

Klubi i librit të aktores dhe producentes amerikane Reese Witherspoon e bëri të famshëm edhe më shumë librin në Shtator të 2018. Historia e Kya Clark ndiqet prej moshës 6 deri në vitet e saj të fundit, vendosur në moçalet e Karolinës së veriut mes viteve 1950-1970, me një tension që ngrihet e ngrihet.

Në fillim ajo braktiset nga familja e saj, për t’u rritur fillikat në ashpërsinë e natyrës së egër – që për të në fakt shndërrohet në të vetmen gjë të qëndrueshme, të vetmen gjë që ajo e kupton. Pika e saj fokale e referimit është natyra dhe gjallesat që e rrethojnë derisa vijnë vitet e trazuara të adoleshencës, e bashkë me të ëndrrat iluzive të dashurisë të cilat si dallgë që përplasin një anije të pa ankoruar trazojnë jetën e qetë të vajzës. Dy djemtë që do të shënonin jetën e saj, Tate dhe Chase, edhe pse diametralisht të kundërt me njëri-tjetrin e kthejnë këtë libër një gërshetim fantastik të shumë zhanreve bashkë, me një potencial të lartë për të të emocionuar. I shkruar në mënyrë jo-lineare, historia rrëshket lehtësisht, por duke lënë shenjë, si vaji nëpër gishta, duke të mbajtur në një shqetësim të vazhdueshëm për çfarë do të ndodhë më pas,  saqë ta heqësh nga dora vjen një pikë që bëhet krejtësisht e pamundur.

Owens ka mbledhur në libër aq shumë dhe aq bukur. Me përshkrime me një gjuhë të pasur, ajo paralelisht të jep informacion me bollëk për vendin ku është vendosur ngjarja duke e lidhur këtë poetikisht me trillin tronditës artistik që është romani, një Roman që është njëkohësisht një histori dashurie shumë-fishe (për prindërit, vëllezërit e motrat, natyrën dhe atë që mban brenda, poezinë, njerëzit) si edhe një pasqyrë e amerikës së ndasive të atyre viteve.

Personazhi kryesor është ndër më origjinalët të viteve të fundit. Autorja është e kujdesshme që izolimi i protagonistes të mos ta kthejë atë në super-heroinë, sa ç’është e kujdesshme për masën e sentimentalizimit për fatkeqsitë e krijimit të saj. Detajet e imëta përshkruese të Owens vetëm sa ja shtojnë ankthin melodramës së "Where the Crawdads Sing".

Thjesht, një libër i shkëlqyer.