Pa pikë, pa presje
Ardian Ndreca

Pjesa ma e madhe e këtij libri ka thuejse dy dekada që asht shkrue. Tue iu largue tekstit në vetvete si edhe tue shmangë për nji kohë të gjatë njifarë bezdie që të ngjallë rileximi i asaj që ke shkrue ti vetë, autori ka pasë kohë me peshue edhe vetë volinë e botimit të tij.

Publikuar: 2020
335 faqe
Përmbledhje

Me shkrue asht nji gja e vështirë, sidomos për veten dhe për njerzit e dashun, ata të afërtit por edhe për ata me të cilët jeta të ka përpjekë në momente të caktueme.

Nji libër kësodore nuk asht nji produkt i kërpitun, pse nuk ka gja ma të papërkryeme sesa kujtimet. Ashtu si baticat ato nxjerrin prej thellësive relike të papërfillshme dhe sende tjera me vlerë, e nganjiherë të vjen keq që sovraniteti i së kaluemes profanohet tue qitë në dritë gjana që flenin në paqën e lume të harresës. E kaluemja ka nji potencial elektrostatik, aty ku s’e pret merr nji shkarkim emocionesh e mandej gjithçka kalon e fiket vetvetiut.

Kujtesa e parë asht ajo e shqisave, ajo që s’ka nevojë për ndërmjetësimin e arsyes, madje s’ka nevojë as për detaje topografike. Gjanat janë ashtu siç janë dhe për to s’ndien keqardhje. Së andejmi s’ka kurrgja, së këtejmi, përkundër, ndodhet nji mal me interpretime, stërhollime, arsyetime, tue qenë se kujtesa asht kthye ndërkaq në nji zêje të veçantë që na ban me u ndie të gjykuem.

Kur ia pastron blozën ngjarjeve ndien nji farë pikllimi, sidomos kur bahet fjalë për nji kohë me kundërshtina të forta si ajo që përshkruhet këtu. Qartësia relative nganjiherë tregon thellësi. Nji libër si ky mundet me të zhgënjye lehtë, por gjanat nuk janë kurrë ashtu siç duken e këtu gjanat janë paraqitë ashtu siç dukeshin asokohe.

Ajo që dikur ngjante e rrethueme me aurën e nji enigme, ma vonë, në momentin që asht realizue, asht shfaqë si diçka e zakonshme. Shndërrimi i së panjohunës në normalitet shkakton nji lloj përshtatjet që ndokend e ban cinik apo të pandieshëm. Por edhe pse enigma asht zgjidhë, ajo aura vijon me qenë tërheqëse në paqenësinë e saj.

*   *   *

Ndër kujtime lëvizin njerzit jo fantazmat, dhe njerzit janë si janë. Askush nuk asht i përcaktuem përgjithmonë prej fatit dhe prej rrethanave. Gjykimi definitiv dhe solemn ndaj tyne, qenje të lira dhe jo mekanizma, kur edhe ti vetë ke qenë pjesë e asaj që ke përjetue, asht nji kurth i lashtë që funksionon si të ishte shpikë dje.

Gjykimet i përkasin unit subjektiv por njikohsisht mtojnë me qenë sa ma të puthituna me realitetin që pasqyrojnë. Ndërmjet gjykimit dhe realitetit ka shumë filtra të dukshëm dhe të padukshëm, disa e qartësojnë shikimin dhe të ndihmojnë me u fokusue, të tjerë e bajnë atë ma opak. Edhe pse përpiqemi me i shpëtue ndikimit që përftimi i asaj që jemi sot ushtron mbi përceptimin e asaj çka ishim dje, ky asht nji ideal i paarritshëm.

Mangësitë që mundet me pasë nji libër i tillë janë të shumta: nuk asht objektiv, nuk asht as subjektiv, nuk jep as shkallën reale të shëmbëllimeve dhe as miniaturën e tyne, nuk përçon mesazhe universale, nuk asht didaskalik, nuk asht kronikë besnike…

Asnji prej këtyne të metave nuk i mungon.

Por lexuesi duhet ta kuptojë se nuk asht precizioni milimetrik vlera ma e madhe e nji libri si ky por kthjelltësia shpirtnore në përcjelljen e ambiguitetit të kohës së jetueme. Kujtesa nganjiherë kthehet në nji sëmundje ma të keqe se vetë harresa, ndër viaskat e saja mundesh edhe me tretë e me u djegë. Kujtesa mundet me u shndërrue në nji lloj hipertrofie të indeve që na lidhin me të kaluemen, tue na izolue me të tashmen.

Nuk ka vetëm nji lloj të kaluemjet, asht nji e kalueme që nuk kalon dhe asht ajo që na peshon ma fort tue shtrydhë prej nesh detaje dhe copëza jete që kanë mbetë në kambë si muret e nji ndërtese që koha e ka rrëzue. E kaluemja e afërme, me të cilën kemi gati-gati nji kontakt pamor nuk asht ajo ma e forta. Ajo e largta që qëndron në majen e pilës së shtresave kohore duket se na peshon ma shumë. Dhe kështu rrekemi me shkue drejt saj, me rindërtue tremet e rrëzueme, me kërkue gurët që ka shpërnda koha. Ndoshta arkeologu asht ndërtuesi i vërtetë i sensit të së kaluemes!

Koha dhe hapsina që përçanson mbrenda vetes ai që shkruen nji libër të tillë kanë shumë pak të përbashkëta me kohën dhe hapsinën reale. Prandaj edhe kur kthehesh tek të njejtat vende e takon po ata njerëz, je i lirë prej hijes së tyne, nuk të mungon asgja dhe nuk kërkon asgja që s’e ke mbrenda vetes në sensin ma të epërm.

Koha absolute e rrëfimit asht e përbame prej momentesh intensive e prandaj nuk ka nevojë për gjithçka, asnji moment i saji nuk asht i barabartë me vetveten dhe nuk matet me orë.

Sa orë të lumtuna kemi jetue? Kësaj pyetje absurde askush nuk din me iu përgjegjë. Të gjithë kujtojnë çaste të përjetueme me intensitetin e lumnisë por jo sasinë e tyne. Edhe hapsina e cila i reziston ma shumë ndryshimeve, nuk asht ajo relativja me përmasat e zakonshme ku gjen trupat fizikë, ndërtesat, ajo që përmblidhet tek rrjeta ortogonale.

Hapsina absolute asht pa përmbajtje, ajo vetë asht përmbajtje, prandaj ideali i saj do të ishte me ndigjue e mos me folë, me hetue gjurmët e së kaluemes në të gjitha shtresat e vetëdijes sonë. Asht nji lloj kohe e pakryeme që na ndjek me mbaresat e saja ku janë tkurrë e shkuemja dhe e ardhmja jonë.

Pasja e këtyne dy dimensioneve të jep kënaqësinë e beftë të vetëdijes se të jetuemit e asaj që ke rrëfye përçohet prej teje tek dikush tjetër. Të shkruemit e nji libri si ky ka nji kuptim ndërsa leximi i tij ka nji kuptim tjetër. Por, në atë masë që procesi i parë ka ndonji pikëpremje me të dytin, ai që shkruen dhe ai që lexon gjinden ballë për ballë.

Nëpërmjet rrëfimit edhe lexuesi mundet me u zhvendosë në koordinatat tueja, kush me zemër, kush me mend, secili me mjetet që zotnon, por pa harrue asnjiherë se farmacia e kujtesës ka helmet dhe balsamet e veta.

Ndoshta në fund të leximit mundet me u zgjue edhe pak entuziazëm. Marina Cvetajeva shkruen dikund se “vetëm nëpërmjet entuziazmit qenja njerzore e sheh botën ekzaktsisht”, gjithnji po të ishte e vërtetë se të pamit ekzaktsisht asht mënyra ma e mirë e përceptimit të asaj çka ne kërkojmë!

Pa pikë pa presje domethanë me nji frymë, me vetëdije dhe i pranishëm ndaj vetvetes.

Vlerësime
Porosit Online