Vit pas viti
Viktor Gjika

Libri titullohet “Vit pas viti” pasi në të janë kujtimet e Viktor Gjikës, të shkruara në vitet e fundit të jetës, ku ai dhe vuante nga një sëmundje e rëndë. Këto kujtime autori i la në formën e një ditare, që më vonë ishin miqtë e tij ata që i morën dhe i botuan në një libër. “Vit pas viti” nuk është thjesht jeta e Viktorit, por është një ndërthurje mes emocionit, atmosferës dhe dashurisë, në një kohë pa dashuri. Në këtë libër, autori u sigurua që shënimet e tij dhe kujtimet të ishin të renditura sipas viteve.

Publikuar: 2009
246 faqe
Përmbledhje

Në librin "Vit pas viti" të Viktor Gjikës, janë kujtime që nisin nga fëmijëria, ditët e rinisë së Korçës, koha e studimeve në Rusi, kthimi në Tiranë dhe një jetë e tërë në sheshet e xhirimit. “Një libër i Viktorit e për Viktorin” e ka quajtur Teodor Laço këtë botim, duke iu referuar shënimeve që miq e kolegë të Gjikës kanë shënuar në fund të librit. Ndërsa regjisori Dhimitër Anagnosti ka kujtuar edhe një herë udhëtimin si studentë drejt shtetit të panjohur, ngjarje që edhe vetë Gjika i ka përshkruar në kujtime. Një pjesë e mirë e kujtimeve i kushtohen realizimit të shumë filmave në Kinostudio, ku Gjika i përshkruan çdo herë me detaje. Por nuk harron t‘i kushtojë dedikime edhe bashkëshortes së tij, Florës, e cila i ka qëndruar në krah gjatë viteve të shumta të punës.

Vlerësime

… Ndodh nganjëherë, që kush të zgjedh emrin në lindje, parandien edhe të ardhmen. E pagëzuan Viktor, që do të thotë Fitimtar. E njoh prej afro 60 vitesh, prandaj kam arsye ta pohoj këtë. Në gjimnaz ishte gjithmonë I PARI. Në çdo lëndë. Por jo si murg librash. Këndonte si solist, luante në pjesët teatrale. I kudogjendur. Kanakar i vajzave. Me diplomë të artë në shkollën e lartë të kinematografisë. Në historinë e filmit artistik e dokumentar shqiptar shkroi një kapitull që nuk do të harrohet. Sepse e gdhendi mbi gur, me daltë skulptori. Nëse do të kërkonim një tipar dallues të të gjithë filmave të tij, për mua ky do të ish REALIZMI.

Le të jetë ky libër një përshpirtje e pambarim. Miq dhe dashamirës të Viktorit, vendoseni atë në bibliotekat tuaja dhe pastaj… “Kur të jeni mërzitur, kërkojeni dhe ai do të zbresë e do të ulet pranë jush” për të perifrazuar vargjet e Dritëroit, si një luftëtar që nuk iu shmang asnjë beteje dhe i fitoi të gjitha, përveç asaj që nuk e ka fituar askush…

Teodor Laço

Porosit Online