Një këmbë e vockël porcelani, copëz figurine gjetur rrugëve, godet me shkelma nga brenda sirtarin sa herë hapet e mbyllet, deri sa dikur një dorë e rrëmon prej errësie, e transporton përmes shtëpisë, hap derën e frigoriferit dhe nën atë ndriçim e fotografon me telefon, përmbi një dërrasë kuzhine nga ato ku zvogëlojmë me thikë materiale ushqimore. Fokusi kapërcen këmbën drejt vrragave të sa e sa prerjeve mbi dru, vrragat rastësisht bëhen filtri pas të cilit shfaqet ajo këmbë e vockël nën dritën e frigoriferit. Data 5 nëntor 2019 kur u caktua imazhi që vulosi këtë libër të sapopërfunduar, ora e saktë regjistruar gjithsesi 12:48 AM nga telefoni, kati i katërt mu mbi “të përpjetën e quajtur Defterdar”, krejt aty ku Naimi “nuk gjente dot shtëpinë mbrëmjeve” – po t’u besojmë kujtimeve të Mit’hat Frashërit.
100 faqe
“Transkript nga krevati tjetër” është vëllimi me poezi i Ervin Hatibit, i parë si një album fotografik, me imazhe të gjalla, por edhe i ndier si muzikë e mirë, emocion që jo doemos kërkon ta përshkruash me fjalë. Një poet gjithnjë i mirëpritur që prej moshës 14-vjeçare, kur u shfaq për herë të parë në një kopertinë libri. Në atë kohë tërhoqi vëmendjen edhe të Ismail Kadaresë, i cili i uroi mirëseardhjen si pjesë e një epoke të re. Ervin Hatibi ka botuar pak libra me poezi dhe dy me ese, por gjithnjë i vlerësuar dhe i mezipritur deri edhe me librin “Transkript nga krevati tjetër”. Si poet, por edhe si artist pamor gjithashtu qëndron në ekuilibër mes fjalës dhe imazhit që mund të përdoren me të njëjtin kuptim edhe kur shkruan, edhe kur pikturon.
“Transkript nga krevati tjetër” është nga ata libra që mund ta rishfletosh shpesh, si një manual për të gjetur vargjet e çdo stine. Ky vëllim ka brenda diçka prej errësirave më të thella vetëm se brenda saj ka dhe rrugë prej nga të dalësh.