Mëngjeset në Kafe Rostand
Ismail Kadare

Në këtë libër shkrimtari i shquar Ismail Kadare ka reflektuar rreth kafenesë së tij të dashur ku nisi të shkruajë veprat e tij që kur u arratis në Franë në fillim të viteve ’90. Nuk është thjeshtë një libër eseistik, pasi këtu gjenden shumë të dhëna që na ndihmojnë më tepër të të njohur Universin Kadarean.

Publikuar: 2014
344 faqe
Përmbledhje

“Mëngjeset në Kafe Rostand, motive të Parisit” sjellin kujtimet e vetë autorit, që nga fëmijëria te problemet e ditës, shkruar pas largimit në Paris. I ulur në këndin e tij të zakonshëm në kafe Rostand, përballë shtëpisë së tij në Paris, i kalon përpara syve gjithë jeta e tij. Parisi i nxit kujtimet.

“Mëngjeset në Kafe Rostand” është një përmbledhje kujtimesh, letrash, sinopsesh, shënimesh, portretesh, që shkrimtari i madh i ka hedhur në letër, duke nisur prej ikjes së tij nga Shqipëria, në Francë, deri në muajt e fundit. Por, ndonëse një homazh Parisit, si shumë artistë të mëdhenj i kanë dedikuar në veprat e tyre letrare apo edhe në artet pamore, Kadare i jep këtij këndi një ngjyrim tërësisht shqiptar. Edhe pse ai është në tavolinën e tij, në kafenë parisiane, mendimet e çojnë në Shqipëri, e ngjisin kalldrëmeve të Gjirokastrës, Sokakut të të Marrëve, në shtëpinë e madhe të Kadarenjve, ku ende dëgjon kërcitjen e drurëve. Aty janë gjithë njerëzit e tij… pastaj vjen rritja, letërsia, njohja me shkrimtarët më të njohur shqiptarë, ata që kishin jetuar edhe Mbretërinë e ngjallnin një lloj kërshërie, për të vijuar me studimet në Moskë, shokët e klasës…

Është një udhëtim përgjatë jetës së tij, prej fëmijërisë, deri sot. Nuk mungojnë edhe portrete poetësh, mes të cilëve edhe ai i Frederik Reshpjes, udhëtimin e jetës së të cilit Kadare e jep përmes “Një prill për Fredin”. Por jo vetëm kaq. Në çdo kohë, në çdo rrethanë, Kadare ka treguar se nuk është indiferent karshi asaj çka ndodh në Shqipëri. Të parat janë mediat, që nxitojnë t’i marrin një mendim pas çdo ngjarjeje… ndërkohë që edhe vetë ai e ka thënë të vetën, ashtu si di ai, përmes veprës. Mes faqeve gjen edhe raportin e tij me diktaturën, ndalimet dhe censurimet e librave. Ato vijnë në formën e rrëfimeve, ndërsa një analizë e mirëfilltë, apo “autopsi” politike, por edhe tekstuale, nga ana e autorit është ajo e një dite mbledhjeje në Byronë Politike…

Vlerësime

Nuk dyshoj që Kadareja është një shkrimtar heretik. Nuk është e mjaftueshme ta quash atë, siç kam thënë dikur, Jetvushenko shqiptar. Jetvushenko është thjesht një rebel. Dallimi midis një rebeli dhe një heretiku është se i pari shpreh zemërimin e tij në mënyrë spazmodike, i cili mund të përmblidhet pas pak, ndërsa heretiku është i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij, ka një vijë veprimi dhe një strategji të sjelljes që buron nga parimet.

Porosit Online