“Rrjedha e dashurisë”, një gërshetim i romanit me udhërrëfyesin për marrëdhëniet në çift. Botton kryen një hulumtim të mençur dhe të hollësishëm mbi kompleksitetin e marrëdhënieve romantike dhe veçanërisht, martesën. Gjakftohtësia intelektuale dhe mprehtësia artistike ofrojnë një analizë të të gjitha etapave nëpër të cilat kalon një lidhje. Ai ndjek boshtin e së vërtetës fund e krye, duke mos u rrekur për asnjë çast ta manipulojë lexuesin me fraza apo t’i komunikojë atij pikërisht ato fjalë që ky i fundit do të donte të dëgjonte. Botton guxon t’i paralajmërojë romantikët se marrëdhënia me një njeri, aq më tepër një marrëdhënie e shtrirë gjatë në kohë, nuk e ka aftësinë të mbetet e pandryshuar, në atë gjendjen statike të fillimit të saj, pra të pasionit marramendës dhe iluzioneve të ndryshme që ky i fundit provokon; se marrëdhëniet ndryshojnë së bashku me njerëzit.
248 faqe
Ky libër krahas rrëfimit që sjell për një çift që nga njohja e deri te jeta bashkëshortore, na jep edhe një hulumtim dhe një analizë se cilat janë disa nga gabimet kryesore që çiftet në përgjithësi bëjnë gjatë rrugëtimit të tyre të përbashkët. Autori me gjakftohtësi i paralajmëron lexuesit e vet se një lidhje romantike nuk mbetet e pandryshuar dhe e ëmbël nga fillimi deri në fund, por se ajo ndryshon bashkë me njerëzit. Përmes historisë së dy personazheve kryesore, Rabihut dhe Kirstenit, autori De Botton bëhet udhërrëfyes i lidhjes sentimentale të çdo lexuesi.
Gjithashtu, ai ngre një pyetje të domosdoshme së cilës i jep përgjigje hap pas hapi: Ç’është dashuria? Ç’është kjo forcë vetëmohuese ndaj së cilës njeriu zgjedh me vullnet të plotë të robërohet? Por mbi të gjitha, a jemi ne të aftë ta shquajmë dashurinë e të mos biem pre e formave të gënjeshtërta që mitizimi i saj ka krijuar? Botton përpiqet të shquajë se si dashuria materializohet në përditshmëri dhe nëse ka një shpresë për jetëgjatësinë e saj, pavarësisht problemeve (shpesh fatale) që mund ta shoqërojnë atë.
Botton na paraqitet si një njohës shumë i mirë i psikikës njerëzore kur zbërthen shkaqet e që i bën personazhet e tij – Rabihun (një burrë i ri lebanezo-gjerman, sentimental, i pasigurt) dhe Kirstenin (një grua e re skoceze, inteligjente, e pavarur, e fortë) – të ndërmarrin veprime si tradhtia, falja apo mëria. Ai përqendrohet në dijen psikanalitike për t’u dhënë kuptime sa më drejta sjelljeve dhe mendimeve që e përbëjnë një lidhje si ajo e Kirstenit dhe Rabihut e më tutje, atë të të dyve me fëmijët që do të sjellin në jetë. Ironia e librit qëndron te fakti se po aq sa ç’të rrëmben në një lexim të lehtë e të shpejtë, po aq të angazhon pashmangshmërisht në të.
Dashuria është tema që i përputhet më së miri stilit aforistik dhe psikologjik të De Botton; në këtë roman, De Botton shpalos aftësinë e tij për të "përkthyer" në letersi shpresat, metodat dhe pasiguritë tona. Nuk ekziston në këto kohëra asnjë shkrimtar tjetër si De Botton. Vepra e tij e fundit është po aq kthjellët dhe njerëzore sa edhe ato të mëparshmet.
The Chicago Tribune
Një roman qëmtues dhe i përshkuar nga një ndjeshmëri e kthjellët dhe aspak cinike. Mund të jetë fare mirë një kështjellë për familjen. Në qoftë se do të hiqnim emrin e autorit, ky libër do të lexohej me endje nga lexuesit e apasionuar të Milan Kundera dhe Adam Thirlwell. Autori synon të fashisë sadopak vetminë tonë- çka meriton të vlerësohet.
The London Standard
Kjo nuk është një histori e rëndomtë dashurie… De Botton, mjeshtër i intrigës, i rikthehet fiction-it pas njëzet vitesh dhe një numri librash të natyrave të tjera, me synimin për t’i dhënë përgjigje pyetjes: "Çdo të thotë të jesh i martuar për një farë kohe?" Përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje janë herë plot humor, e herë plot emocione…